SBASHK për vendimin e teksteve shkollore: Nagavci e Murati synuan shuarjen e sindikatës tonë

Aktuale

SBASHK për vendimin e teksteve shkollore: Nagavci e Murati synuan shuarjen e sindikatës tonë

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 12:50
SBASHK

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, në një mesazh plot kritika për Ministrinë e Arsimit dhe qeverinë, ka uruar nxënësit dhe punëtorët e arsimit, me rastin e vitit të ri shkollor.

"Të nderuar  anëtarë të SBASHK-ut duke ju uruar juve dhe gjithë nxënësve për vitin e ri shkollor ju falënderoj që kësaj radhe nuk kishit kërkesa për veprime sindikale dhe kjo na jepte shpresë se ky vit shkollor do të ketë fillim dhe rrjedhë të mbarë, por  MASHTI u kujdes që kjo të mos ndodh duke sjell vendim të gabuar për tekstet  shkollore, vendim ky që ka krijuar shqetësime e stres të  punëtorët arsimorë në mësimin shqip, por dhe te kolegët tanë  në mësimin në gjuhën boshnjake e turke”.

"Të nderuarit mësimdhënëses të Kosovës ju keni qenë të përkushtuar në misionin e shenjtë të edukimit e arsimit të brezave nëpër vite e dekada  dhe keni kaluar me sukses pengesat që na krijuan të tjerët. Ju lus që të angazhoheni maksimalisht  e të kontribuoni aq sa mundeni që pajisja me tekste shkollore të  bëhet në mënyrën më të mirë të mundur  e sidomos për nxënësit që vijnë nga familje me gjendje më të rënduar ekonomike”.

Ndërsa specifikisht duke përmendur ministren, Arbërie Nagavci, nga kjo sindikatë konsiderojnë se ajo bashkë me ministrin, Hekuran Murati patën synim shuarjen e SBASHK-ut.

"Anëtare e anëtarë të SBASHK-ut Ministrja  Nagavci, në  vend që të kërkojë falje nga prindërit, nxënësit e mësimdhënësit për problemin që ka krijuar lidhur me tekstet shkollore, ajo kishte bërë pyetje se kë përfaqëson Jasharaj. Ajo, si duket, ka besuar se  do të jep rezultate plani i  saj dhe i ministrit Murati se duke krijuar pengesa, që nuk ndodhin në as një vend demokratik të botës, punëtorët e arsimit nuk do të regjistrohen si sindikalistë në e-Kosova  dhe kështu do të shuhet SBASHK-u. Por, Nagavcit nuk ia paskan treguar  lajmin se SBASHK-u nuk u shua, por vazhdon rrugëtimin me unitet të plotë e me shumë angazhime në shërbim të arsimit dhe do  ta ngrit zërin në emër të anëtarësisë”.

SBASHK iu përgjigj edhe deklaratave të Nagavcit, rreth dilemave të përfaqësimit të Rrahman Jasharajt.

"Pra, Jasharaj përfaqëson mijëra e mijëra anëtare e anëtarë të SBASHK-ut që nga çerdhet e deri në universitete. Zonja Nagavci me tendencën për të krijuar  përçarje deklarohet se ky vendimi i ri për tekstet shkollore qenka  edhe në shërbim të mësimdhënësve. Ajo, mbase ka menduar se kështu i kursen nga lodhja  e ndarjes se teksteve shkollore  për nxënësit e tyre, por ata nuk e duan këtë kujdes sepse me kënaqësi e të lumtur e kanë kryer këtë veprim duke  i parë të gëzuar nxënësit për tekstet e reja shkollore”.

Madje në fund, SBASHK specifikon rastet kur qeveria ndëshkonte me ndalesë pagash punëtorët e arsimit që kishin grevuar, transmeton klankosova.tv.

"Sa është kujdesur e kujdeset Nagavci për  punëtorët e arsimit u pa kur  i gëzohej  angazhimit të Qeverisë për ndëshkim me ndalim pagash pse punëtorët e arsimit  kishin qëndruar arsyeshëm në grevë. Dhe kur u bënte presion edhe me inspektorë që të mbajnë mësim për të kompensuar orët e humbura në grevë. Ministre mos u mundoni kot  se sindikatën  tonë u munduat ta shuani, por SBASHK  ishte dhe mbetet sindikatë e punëtorëve të arsimit që nga çerdhet e deri në universitete  dhe do të vazhdojë të jetë zë i tyre  sepse ata janë bashkë e në SBASHK”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat