Një konflikt mes dy familjeve Gashi dhe Krasniqi në komunën e Malishevës, dje përfundoi tragjikisht. Për shkak të një mosmarrëveshje që dyshohet se lidhet me një borxh, 30-vjeçari, Shkodran Krasniqi, u qëllua për vdekje nga njëri prej anëtarëve të familjes Gashi.
Katër vëllezërit Gashi, Kastrioti, Fatmiri, Xhaviti dhe Asdreni janë ndaluar dje për 48 orë, teksa të dyshuar janë edhe vëllezërit e vitimës, Qendrim Krasniqi, Labinot Krasniqi dhe Dardan Krasniqi, të cilët gjatë ditës së djeshme janë ruajtur nga Policia, në shtëpinë e tyre në Bubavec.
Sipas informacioneve të cilat posedon Sinjali, tashmë vëllezërit Krasniqi me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, teksa është arrestuar edhe personi i tetë i dyshuar.
Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për Arsim Morinën, i cili po ashtu është ndaluar për 48 orë.
Lidhur me rastin, njësitë policore kanë kryer edhe bastisje, teksa është sekuestruar një armë zjarri dhe një automjet.
Raportimin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri në fshatin Balincë-Malishevë. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekja e tij. Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në rast, si dhe është konfiskuar një armë”, tha Elezaj dje.