Dëmi afër 7 milionë euro, në janar pritet të nisë gjykimi ndaj ish-kryeshefit të Telekomit

Aktuale

Dëmi afër 7 milionë euro, në janar pritet të nisë gjykimi ndaj ish-kryeshefit të Telekomit

Më: 3 shtator 2023 Në ora: 11:12
Foto ilustrim

Për ish-kryeshefin e Telekomit, Agron Mustafa, pritet të fillojë në janar të vitit 2024 në Gjykatën Themelore në Prishtinë procesi gjyqësor në lidhje me akuzën për rastin “PAYKOS”, ku dyshohet se i ka shkaktuar dëm afër 7 milionë euro Telekomit.

Këtë e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”, gjykatësi i ngarkuar për gjykim të kësaj lënde, Sabit Sadiaj. Sipas gjykatësit Sadikaj, lënda do të trajtohet në bazë të radhës se kur është dorëzuar aktakuza nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Kujtojmë se në maj të këtij viti Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Mustafës për shkak të veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, më 3 maj 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.M., për shkak të veprës penale ‘Lidhja e kontratës së dëmshme’, nga neni 291 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, dhe lidhur me nenin 81 paragrafi 1 nën paragrafi  1.2 dhe 1.5 të KPRK-së”, thuhej në njoftim.

Mustafa, sipas aktakuzës, i ka shkaktuar dëm Telekomit afër 7 milionë euro.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri në cilësinë e kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës dhe atë në vlerë prej 6,796,732 € (gjashtë milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e dy euro)”, thuhej më tutje në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat