Dështon të mbahet seanca e thirrur nga opozita për tekste shkollore, LVV nuk merr pjesë

Aktuale

Dështon të mbahet seanca e thirrur nga opozita për tekste shkollore, LVV nuk merr pjesë

Më: 4 shtator 2023 Në ora: 07:08 Përditësuar në ora: 13:05 më 04.09.2023
Kuvendi i Kosovës

Krasniqi: Kostoja e librave është trefishuar, pabarazi fundamentale mes nxënësve

Me ftesë të opozitës, Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme. Kjo seancë e jashtëzakonshme pritet të zhvillohet me fillim nga ora 12:00.

Në mungesë kuorumi, seanca e jashtëzakonshme për librat në Kuvendin e Kosovës nuk ka filluar.

Mirëpo, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë një përjashtim duke i lejuar kryetarët e partive të flasin.

Nuk ka numra që të fillojmë me seancë të jashtëzakonshme. Mirëpo, po e bëjmë një përjashtim. Le të flasin vetëm kryetarët e grupeve parlamentare”, ka thënë Konfjuca.

I pari fjalën e mori kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili e ka quajtur të turpshëm dhe të jashtëligjshëm vendimin e Ministrisë për librat.

Ai ka pyetur ministren Nagavci nëse ka përfitime personale nga trefishimi i kostos së librave.

“Është për keqardhje që për shkak të papërgjegjësisë së Qeverisë çdo sesion me e fillu me seancë të jashtëzakonshme”.

E kemi thirrë për diçka që as se kemi paramendua, që për herë të parë që na shpallja e Pavarësisë, shteti i ka lënë fëmijët pa libra”.

“Kjo është e turpshme. Kjo është e paligjshme. E kanë trefishu koston e librave, në vend që të ishte 4 milionë tash janë 12 milionë”.

“Prindërve ua kanë qitë një barrë të re. A din me na tregu kjo ministre a ka  përfitime personale nga trefishimi i kostos. A munden me na tregu pabarazinë fondamentale që disa nxënës janë me libra e disa pa libra”.

Turp ju qoftë”, ka përfunduar ai.

Në seancë nuk ka marrë pjesë asnjë deputet i Vetëvendosjes, ndërsa nga kabineti, prezente ka qenë vetëm ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Deputetja e LDK-së: Sot Qeveria e popullit nuk është në Kuvend, po ikin e s’po ballafaqohen me argumentet tona

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka hedhur akuza në drejtim të mazhorancës për mospjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme, ku po diskutohet për furnizimin me teksteve shkollore.

Bajrami ka marrë si shembull mungesën e bibliotekës në Kaçanik, e që prindërve detyrohen të shkojnë në Ferizaj për të blerë tekste shkollore.

Sot Qeveria e popullit e shpresës nuk është në Kuvend, nuk është asnjë deputet i mazhorancës. Nuk po e dimë prej kujt po ikni, pse sot nuk i kemi deputetët e mazhornacës dhe të ballafaqohen me argumentet tona. I kemi parë prindërit e Kaçanikut duke ardh në Ferizaj sepse atje nuk ka bibliotekë, duke humbur punën e tyre për t’i siguruar librat për fëmijët e tyre. Të gjitha këto kokëçarje u kemi shkaktuar prindërve.

Çka me prindërit që janë me asistencë sociale, ata që llogaritë bankare i kanë të bllokuar dhe ky vit do të jetë dështim”, u shpreh ajo.

Dështon të mbahet seanca e thirrur nga opozita për tekste shkollore

Një numër i vogël i deputetëve janë paraqitur sot në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, ku pritej diskutime lidhur mbi furnizimin me tekste shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët.

Seanca ishte planifikuar të nis në ora 12:00.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca,  fillimisht tha se po presin që të vijnë edhe deputetë tjerë në mënyrë që të jetë shumica për fillimin e seancës, por pas disa minutave ai deklaroi se seanca nuk mund të mbahet pasi nuk është mazhoranca.

Megjithatë, Konjufca lejoi shefat e grupeve parlamentare që të flasin shkurt pasi veç ishin në Kuvend.

Në sallë janë disa nga deputetët e PDK-së, si Abelard Tahiri, Eliza Hoxha, Ariana Musliu-Shoshi, Hajdar Beqa etj.

Kurse nga LDK, Driton Selmanaj, Agim Veliu, Hykmete Bajrami, Besian Mustafa etj.

Ndërsa, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk është parë asnjë deputet.

Deputetja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka shkruar në Facebook se për herë të parë nxënësit janë mbështetur për blerjen e pajisjeve shkollore.

Opozitarët thërrasin seancë para fillimit të sesionit vjeshtor, të pakënaqur sepse përveç librave, nxënësit mbështeten edhe për blerjen e pajisjeve të tjera shkollore. Për herë të parë, mbështetje direkte për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Kot lodheni”, thotë ajo. 

Sot seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, diskutohet për tekstet shkollore

Kuvendi i Kosovës sot duke filluar nga ora 12:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme. Një gjë e tillë është konfirmuar nga faqja zyrtare e Kuvendit.

Kuvendi mban debat parlamentar lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024”, njofton Kuvendi i Kosovës.

Ndryshe deputetët e opozitës, të cilët janë anëtarë të Komisionit për Arsim, të mbështetur nga deputetët e tjerë, të premten e kanë iniciuar iniciuar thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për 4 shtator.

Arsyeja e thirrjes së seancës ka të bëjë, sipas tyre, me mungesën e furnizimit të mbi 200 mijë nxënësve me tekste shkollore.

Pasojat e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie, po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës. Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente”, ka njoftuar Eliza Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës.

Çështje e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor, ka qenë temë debati ditët e fundit, për shkak se MASHTI ka vendosur të bëj subvencionimin e librave deri në 80 euro për nxënës.

Viteve të kaluara, sigurimi i teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor, është bërë direkt nga qeveria e Kosovës përmes shtëpive botuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat