Dëshmitari i njëzetë në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve flet për një familjar të zhdukur

Aktuale

Dëshmitari i njëzetë në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve flet për një familjar të zhdukur

Më: 4 shtator 2023 Në ora: 07:27 Përditësuar në ora: 17:05 më 04.09.2023
Ish - krerët e UÇK-së

​Agim Idrizi dëshmitar në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve, paraqitet pa masa mbrojtëse

Dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokuronit të Specializuar në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve është Agim Idrizi nga komuna e Kaçanikut.

Ai po dëshmon pa masa mbrojtëse dhe po intervistohet nga prokuroi James Pace.

Sipas Speciales ai do të dëshmojë lidhur me rrëmbimin që ai pretendon se i është bërë nga pjesëtarë të UÇK-së në vitin 1999.

​Dëshmitari kundër Thaçit dhe të tjerëve: Gjatë luftës përkrahnim LDK-në, sot e adhuroj Kurtin

Dëshmitari i njëzetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve, ka folur për një familjar të zhdukur e për të cilin pretendon se ishte marrë nga anëtarë të UÇK-së. Arsyet për këtë, në gjykatore u tha se kishin të bënin me xhelozinë në fshat si dhe faktin që ai ishte përkrahës i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 4368, ka thënë se ai dhe familja e tij gjatë periudhës së luftës kishin përkrahur hapur LDK-në.

Por sot, derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit të Rexhep Selimit, Eric Tully, ka thënë se nuk është mbështetës i kësaj partie por i kryeministrit Albin Kurti.

Avokati Tully: Ju po ashtu keni thënë se mbase ky inati që ka ekzistuar në fshat mbase ishte për shkak të mbështetjes së LDK-së, mbase mbështetja e LDK-së ka bërë që të arrestohej i afërmi 1. Në deklaratën e dhënë për ZPS-në, në pyetjen pse beson që donin ta likuidonin, ju keni thënë ‘Kishte ca gjëra që ishin bërë bashkë, për shembull fakti që ishte me LDK-në, kishte edhe një inat nga njerëzit në fshat kundër tij’.

Dëshmitari: Sot nuk jam i LDK-së, jam i Vetëvendosjes, i Albin Kurtit, sepse ka ardhur një njëri prej qielli, ka ardhur një njëri shumë i zgjuar, Vjosa Osmani, jam përkrah këtyre, nuk jam më për LDK-në.

Ndërsa në pyetjet e avokatit të ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe, dëshmitari është përgjigjur edhe për një rast kur sipas tij kishte shkuar për të takuar Adem Demaçin, por i njëjti sipas tij nuk i kishte pranuar.

Ai ka thënë se aty kishte parë edhe Albin Kurtin.

Avokati Kehoe: Pra shkuat të takoni Demaçin së bashku me personin 2, shkuat për të folur me Demaçin dhe Kurtin, ju keni folur edhe me Kurtin i cili ishte asistent i Demaçit, kështu ka qenë?

Dëshmitari: Demaçi nuk ka dalë prej zyrës vetëm....Kurtin e adhuroj sot se është kryeministër shumë i mirë por nuk kam pasur muhabete me Kurtin, as me Thaçin, Demaçi nuk na ka pranuar, se e diti situatën ku është dhe nuk na ka pranuar.

Avokati Kehoe: Por me Kurtin u takuat, çfarë marrëdhënie kishit me Kurtin.

Prokurorja Hackler: kundërshtojmë i nderuar gjykatës sepse tha që nuk u takua me Kurtin.

Avokati Kehoe: E patë Kurtin kur ishit aty?

Dëshmitari: E pash por pa biseduar, nuk biseduam.

Avokati Kehoe: Çfarë marrëdhëniesh kishit me Kurtin?

Dëshmitari ... (Përmbajtje e redaktuar)

Derisa është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes, dëshmitari ka thënë se shtëpia e tij ishte garantuar nga forcat serbe.

Pjesë të mëdha të dëshmisë së tij gjykata i ka transmetuar me përmbajtje të redaktuar apo janë dhënë në seancë private.

Gjithashtu seanca është mbyllur sa herë që pyetjet kanë pasur të bëjnë me emra të personave të tjerë.

Gjatë intervistimit nga avokati Kehoe, në gjykatore është shfaqur një dokument i cili nuk është dhënë edhe për publikun.

Ndërsa ai i ka papërmendur dëshmitarit deklaratat e tij të dhëna më parë.

Avokati Kehoe: Thuhet që kidnapimi dyshohet që është bërë nga xhelozia, thuhet i afërmi 1, një shqiptar i Kosovës dhe disa djem që punojnë jashtë vendit, kurr nuk kanë pasur ndonjë interes në politikë dhe këtë e ka thënë hapur, ai nuk di të lexojë dhe as të shkruajë por kishte shumë influencë në fshatin e tij. A është fakt ky, a ja keni thënë këtij institucioni këtë gjë, që ai nuk kishte fare interes në politikë dhe këtë e ka pas thënë hapur?

Dëshmitari: Unë jo, nuk e di kush e ka thënë këtë.

Pas kësaj seanca ka vijuar e mbyllur, për t’u hapur pastaj me pyetjet e avokatit Kehoe lidhur me kidnapimin që pretendohet se i është bërë familjarit të tij.

Dëshmitari ka thënë se të afërmit e tij, “numri 1” dhe “numri 2” u kishin dhënë para serbëve për të mos e futur në burg “numrin 2”.

Ai gjithashtu ka thënë se “numri 1” është përfshirë edhe në rastet me fshatarë të tjerë për të kuptuar se sa para donin serbët.

Dëshmitari: (Numri 2) Ky ka qenë azil politik në Francë, kur është kthyer prej Francës, donin me mbyll në burg serbët me numrin 2, ai ka qenë azil politik, e kemi ble një traktor për me shpëtu këtë prej burgut... Kanë ardhur të shtëpia na kanë bastisë, për numrin dy që ka ardhur prej Francës, e gjetën një aparat të madh e morën serbët atë aparatin. Ne u kemi dhënë para serbëve, nuk u kemi dhënë shqiptarëve në atë kohë.

Ndërsa avokati Tully ka përmendur deklaratat e dëshmitarit, të dhëna ditë më parë në konferencën përgatitore me ZPS-në, por për të njëjtat ai ka thënë se nuk i kujtohen.

Avokati Eric: Ju përshkruani gjendjen pas arrestimit të të afërmit 1. Ju thoni si më poshtë: Jam i interesuar veçanërisht sa i takon terrorit që ekzistonte tek vendasit. Kur u pyet sa i takon pjesës së raportit që thotë që kidnapimi kishte si qëllim të vinte një shembull për të tjerët dhe për të nxitur pak terrorin ndërmjet vendasve, 4368 tha që ai nuk mendon që kidnapimi çoi në frikë, megjithëse disa fshatarë ishin të shqetësuar lidhur me këtë dhe thanë ‘o Zot, mund të më vijë edhe mua radha ndonjëherë’. Pastaj në fund fare thuhet që 4368 tha që ne nuk ishim një familje që mburreshim, dhe qëllimi i tyre ishte t’i ulnin kokën atyre personave si puna jonë. Pyetja ime është kjo, a ju kujtohet të keni thënë këtë?

Dëshmitari: Nuk e kam thënë këtë gjë, nuk më kujtohet.

Avokati: Dëshmitar, kjo ka ndodhur dy ditë më parë, ka dhënë një shënim përgatitor për këtë seancë, prokuroria, dhe kjo është ajo çfarë thuhet në shënimin përgatitore të prokurorisë.

Kjo seancë po karakterizohet me redaktime të shumta si dhe mbyllje për publikun.

Gjithashtu, disa pjesë të dëshmisë së dëshmitarit nuk janë kuptuar për shkak të modifikimit të tepërt të zërit.

Dëshmitari i njëzetë në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve flet për një familjar të zhdukur

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmitari i njëzetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe pse ai po dëshmon nën masa mbrojtëse, një pjesë e dëshmisë së tij është dhënë e hapur për publikun. Sipas tij, anëtarë të UÇK-së i kishin marrë një familjar për të cilin ka thënë se nuk di asgjë prej vitit 1998.

Seanca me të dhënat personale të dëshmitarit ka vijuar e mbyllur për publikun, ndërsa më pas ai ka konfirmuar se është intervistuar nga ZPS-ja në shtator të vitit 2019 ndërsa ka dhënë deklarata për institucionet në Kosovë edhe në mars të vitit 2000.

Pyetjet e prokurores Ruth-Mary Hackler janë fokusuar rreth familjarit të dëshmitarit me kodin 4368, për të cilin ai pretendon se është marrë nga UCK-ja në vitin 1998 dhe prej atëherë askush nuk di asgjë për të.

Personi që pretendohet të jetë i zhdukur është quajtur “i afërmi numër 1”. Prokurorja Ruth-Mary Hackler ka lexuar një përmbledhje të dëshmisë së tij.

“Në vitin 1998 disa anëtarë të armatosur të UÇK-së erdhën në shtëpinë e familjes së 4368 dhe morën një prej të afërmeve te tyre për t’u marrë në pyetje. 4368 dhe personat e tjerë shkuan në mënyrë të vazhdueshme në shtabin lokal të UÇK-së dhe çdo herë ju kërkuan zyrtarëve të UÇK-së informacion rreth të afërmit të tyre por asnjëherë nuk morën asnjë informacion. Edhe sot e kësaj dite 4368 dhe familja e tij nuk e kanë parë më të afërmin e tyre dhe eshtrat e të afërmit nuk janë gjetur asnjëherë”, ka thënë prokurorja.

Tutje, prokurorja ka thënë se në seancën përgatitore dëshmitari ka thënë se familja e tij ishin mbështetës të Ibrahim Rugovës por ata sipas tij përkrahnin edhe UÇK-në.

Lidhur me këtë, dëshmitari është përgjigjur me përmbajtje të redaktuar.

Dëshmitari ka thënë se asnjëherë nuk kanë marrë ndonjë informatë prej UÇK-së lidhur me vendndodhjen e familjarit të tij ndërsa ka thënë se “I afërmi numër 1” nuk ishte spiun.

Me këtë kanë përfunduar pyetjet e prokurorisë, ndërsa ato të mbrojtësit të viktimave janë transmetuar me përmbajtje të redaktuar.

Seanca është duke u zhvilluar me intervistimin e dëshmitarit nga avokati i ish-presidentit Hashim Thaçit, Gregory Kehoe. 

Vazhdon gjykimi në Speciale

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë sot vazhdon gjykimi në rastin gjyqësor “Thaçit dhe të tjerëve”.

Ndryshe në seancat e javës së kaluar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë përfunduar dëshmitë dëshmitarët e 18-të dhe 19-të të thirrur nga Prokuroria.

Ata dëshmuan me masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë private. Sipas përmbledhjes së shkurtër të lexuar në sallën e gjyqit nga Prokuroria, dëshmia e dëshmitarit të 19-të ishte në lidhje me ndalimin dhe zhdukjen e pretenduar e anëtarit të familjes së dëshmitarit në Drenoc.

Më 16 gusht Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit lidhur me kontaktin me një dëshmitar të caktuar.

Mbrojtja e Thaҫit kërkoi që të shfuqizohet protokolli që rregullon kontaktet me dëshmitarët në lidhje me këtë dëshmitar, bazuar në njoftimin e Prokurorisë se ka vendosur të mos e thërrasë këtë dëshmitar në këtë fazë të procesit.

Trupi Gjykues konstatoi se protokolli vazhdon të jetë në fuqi, sepse Prokuroria ende ka ndër mend ta thërrasë dëshmitarin, por në një fazë të mëvonshme të procesit. Trupi Gjykues sqaroi gjithashtu se sa herë që Prokuroria të vendosë të mos e thërrasë një dëshmitar për të cilin ka njoftuar më parë, ajo duhet ta informojë Mbrojtjen, sepse në këto raste protokolli pushon së qeni në fuqi. Rrjedhimisht, Prokuroria duhet që ta rishikojë në mënyrë proaktive dhe të vazhdueshme listën e dëshmitarëve të saj dhe të njoftojë pa vonesë Mbrojtjen sa herë të vendosë të mos e thërrasë një dëshmitar të caktuar.

Hashim Thaçi, i cili është i akuzuar nga DHSK ka qëndruar për një vizitë familjare në vendlindje.

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, tha për RTKlive se Trupi Gjykues për arsye detyruese humanitare e ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin për takim me familjen.

“I akuzuari mbetet në ndalim dhe nën përkujdesjen e Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës në këtë drejtim”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat