Zgjedhjet në veri - kritikohet Udhëzimi Administrativ, pushteti e sheh si zgjidhje të vetme

Aktuale

Zgjedhjet në veri - kritikohet Udhëzimi Administrativ, pushteti e sheh si zgjidhje të vetme

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 15:21
Foto ilustrim

Pas përfundimit të hartimit të Udhëzimit Administrativ që mundëson shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore përmes peticionit, Partia Demokratike e Kosovës(PDK) dhe shoqëria civile kërkon koordinim me ShBA-në dhe BE-në për shpalljen e zgjedhjeve në katër komunat veriore.

Sipas partisë më të madhe opozitare, qasja e qeverisë që përmes peticionit të lirohen nga funksioni kryetarët aktualë lë për të dëshiruar. Ndërkaq, në Institutin e Kosovës për Drejtësi(IKD) thonë se Udhëzimi Administrativ ka probleme kushtetuese dhe ligjore, andaj zgjidhja më e mirë do të ishte dorëheqja e kryetarëve.

Në anën tjetër, një mundësi të tillë e përjashtojnë nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ku thonë se përveç peticionit s’ka asnjë rrugë tjetër institucionale dhe politike për të shkuar në zgjedhje të parakohshme në veri.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri thotë për KosovaPress se qasja e qeverisë për situatën në veri lë për të dëshiruar.

“Si Parti Demokratike e Kosovës kemi një korrektësi dhe bashkëpunim të mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian që të gjejmë një zgjidhje, për faktin se i kemi dy kryetarë aty. Në anën tjetër, kur i sheh qasjen dhe hapat e kësaj qeverie në këtë drejtim lënë për të dëshiruar”, thotë Tahiri.

Kritik ndaj Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga detyra është hulumtuesi në IKD, Naim Jakaj.

Ai thotë se i njëjti ka probleme kushtetuese, ligjore dhe teknike, prandaj, sipas tij zgjidhja e duhur është dorëheqja e kryetarëve në veri.

“Ne kemi pa se (Udhëzimi Administrativ)ka probleme kushtetuese dhe probleme ligjore. Së dyti ka probleme të tjera që janë teknike sa i përket mbledhjes dhe formalizmit të një nisme të caktuar nga një grup i caktuar kryetarësh për të larguar një kryetar komune nga funksioni i tij. Së pari Udhëzimi Administrativ tregon vetëm këtë procedurën teknike të mbledhjes së nënshkrimeve, gjë që është lënë një afat shumë i shkurtër 30 ditor dhe pastaj 15 ditë në rast se nuk mblidhet 20 për qindëshi i numrit të caktuar, që janë votues të regjistruar vitin e fundit. Për komuna të caktuara do të jetë problem ky numër dhe po ashtu për komuna të vogla... Zgjidhja më e mirë do të ishte që kryetarët e komunave në veri për arsye që nuk kanë legjitimitet të plotë për të ushtruar detyrën të japin dorëheqje në mënyrë që të shkojmë në zgjedhje. Udhëzimi Administrativ dhe dorëheqjet e prodhojnë të njëjtin rezultat, mbajtjen e zgjedhjeve në ato komuna”, thekson Jakaj.

Por këtë kërkesë e sheh të papranueshme deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi. Ai thotë për KosovaPress se përveç peticionit s’ka rrugë tjetër institucionale për largimin e kryetarëve në veri nga detyra.

Ai shton se s’ka asnjë mundësi që t’iu kërkojnë dorëheqjen atyre, pasi e njëjta mbetet në vullnetin e tyre individual.:

“Institucionalisht dhe politikisht nuk ka rrugë tjetër për të shkuar në zgjedhje përveçse shfrytëzimin e të drejtës që parasheh Ligji për qeverisje lokale, që të kërkohet nga vetë qytetarët largimi i kryetarëve aktual, përmes së paku 20 për qind të nënshkrimeve të votuesve nga ato komuna... Rrugë tjetër për të larguar kryetarët aktual nga detyra nuk ka insitucionalisht dhe politikisht, pastaj pjesa tjetër dorëheqja është veprim moral, individual i kryetarit për të cilin ne nuk kemi as tagër politik, institucional dhe moral për t’ia kërkuar. Ne punojmë si institucione për rrafshin dhe mekanizmat institucionalë për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme”, deklaron deputeti Rrustemi.

Të martën, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se ka përfunduar hartimi i Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Sipas tij, ky udhëzim jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejte të garantuar nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve në veri, ku është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja atje. BE-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen në një afat sa më të shkurtër kohor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat