Dëshmitari i radhës ndaj Thaçit e të tjerëve, ish-komandant i UÇK-së e ish-anëtar i LDK-së

Aktuale

Dëshmitari i radhës ndaj Thaçit e të tjerëve, ish-komandant i UÇK-së e ish-anëtar i LDK-së

Më: 12 shtator 2023 Në ora: 14:26
Krerët e UÇK-së në Hagë

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka filluar dëshminë dëshmitari i 24-të (me kodin 4255), për të cilin nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) u tha se ka qenë komandat i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për një periudhë të caktuar kohore dhe se ishte edhe anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Këtë deklarim, e bëri prokurori James Pace duke lexuar përmbledhjen e deklaratave të pranuara për këtë dëshmitar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në ‘98-‘99-ën W04255, shqiptar i Kosovës ishte anëtar i LDK-së dhe i UÇK-së, ka qenë edhe komandant i UÇK-së për një periudhë të caktuar kohore. W04255 mori pjesë në një takim ku Hashim Thaçi u prezantua si përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm. Në një takim tjetër W04255 ishte i pranishëm ku Hashim Thaçi u prezantua si shefi i pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së që ishin të pranishëm”, ka thënë prokurori Pace duke lexuar përmbledhjen e dëshmisë së dëshmitarit.

Paraprakisht, dëshmitari ka thënë se i kujtohet dëshmia e dhënë para ZPS-së më 10 janar 2020 dhe se sqarimet që ka bërë janë pasqyruar saktë në shënimin që i është lexuar.

Ai ka thënë se sqarimet dhe deklaratat e mëparshme pasqyrojnë të njëjtat përgjigje nëse do të pyetej prapë për të njëjtat çështje.

Në këto rrethana, deklaratat e mëparshme, dokumentet shoqëruese dhe shënimi përgatitor janë pranuar nga ana e trupit gjykues.

Seanca ka kaluar në sesion privat me kërkesë të prokurorit Pace, me arsyetimin që të mbrohet dëshmitari.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për krime lufte është konfirmuar më 26 tetor 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat