IKD: Gjykatat në procedurë penale në asnjë rast nuk kanë vendosur mbi propozimin për kërkesën pasurore juridike

Aktuale

IKD: Gjykatat në procedurë penale në asnjë rast nuk kanë vendosur mbi propozimin për kërkesën pasurore juridike

Më: 22 shtator 2023 Në ora: 10:38
Foto ilustrim

Hulumtuesja nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Shqiponjë Gashi ka thënë se edhe pse Kodi i Procedurës Penale u ka dhënë mundësinë,  gjykatat në asnjë rast në procedurë penale nuk kanë vendosur mbi propozimin për kërkesën pasurore juridike.

Një deklarim të tillë, Gashi e tha të premten gjatë prezantimit të raportit “Kompensimi i viktimave të dhunës në familje”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas hulumtueses Gashi, mos vendosja në procedurën penale dëmton mbështetjen e sistemit të drejtësisë penale nga viktimat potenciale.Mohimi i kësaj të drejtë vazhdimisht nga gjykatat në procedurën penale, sipas Gashit, mund të merret si dështim në mbrojtjen e viktimës, në veçanti nga efektet negative të krimit dhe dekurajim i vazhdueshëm për paraqitje të kërkesave pasurore në këtë procedurë.

Si arsye kryesore në dekurajimin e palëve të dëmtuara me procedim të mëtejshëm, Gashi tha se është kohëzgjatja e procedurave gjyqësore në rastet civile, që paraqitet si një ndër sfidat kryesore të administrimit të drejtësisë në Kosovë. Kjo pasi në rastet kur në procedurë penale nuk vendoset për kërkesën pasurore juridike, atëherë palët obligohen që për realizimin e kompensimit të iniciojnë proces të ri gjyqësor.

E që sipas Gashit, nga llogaritjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës është gjetur se që një lëndë civile të marrë një epilog duhet të kalojnë përkatësisht 5.5 vite. Në rastin e viktimave të dhunës në familje, kjo periudhë fillon të rrjedhë vetëm pasi të përfundojë procedura penale.

“Zhvillimi i një procedure penale dhe një civile njëkohësisht, për rastin e njëjtë shkakton rëndesë tjetër në sistemin e drejtësisë. Kjo pasi që, për çështjen e njëjtë që do të mund të përfundohej në procedurë penale do të zhvillohet procedurë civile, dhe duke marrë gjithnjë në konsideratë kohëzgjatjen e lëndëve civile, në mënyrë të paevitueshme do të reflektohej ndikimi në gjykimin në kohë të arsyeshëm”, shtoi Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat