Osmani i ndan Afrim Bunjakut urdhrin postmortem “Hero i Kosovës”, ua dorëzon dy djemve të tij

Aktuale

Osmani i ndan Afrim Bunjakut urdhrin postmortem “Hero i Kosovës”, ua dorëzon dy djemve të tij

Më: 25 shtator 2023 Në ora: 12:59 Përditësuar në ora: 13:29 më 25.09.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

Sveçla: Në ditë si këto, dhimbjen duhet ta kthejmë në forcë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se me vrasjen e policit Afrim Bunjaku, Kosova ka humbur një njeri dhe polic të mrekullueshëm.

Në mbledhjen komemorative për nder të rreshteri Bunjaku, Sveçla ka thënë se përveç dhimbjes, ndjen edhe krenari për Bunjakun e se në ditë si këto dhimbjen duhet ta kthejmë në forcë.

 “Jam sot para jush me ndjenjën e dhimbjes që kisha edhe në mëngjesin kur pranova lajmin e hidhur. Kësaj dhimbjeje që po e ndjej  po i shtohet edhe krenaria që e kishim fatin ta kemi reshterin Bunjaku në radhët tona”.

“Guximi i pashembullt që këtë rrugë që e hapi që 22 vite është dhe duhet të jetë pasqyrë se duhet të punojmë më shumë për paqen dhe sigurinë. Dje humbëm një njeri të mirë, baba të mrekullueshëm, një polic të mrekullueshëm që u vra në luftën për Kosovën. Në ditë si këto dhimbjen duhet ta kthejmë në forcë, Kosovën ta bëjmë vendin që ai ka dashur”, tha ai.

Vajza e rreshterit Afrim Bunjaku: U flijove për këtë vend që ne dhe Kosova të jemi krenar për heroizmin tënd

Vajza e rreshterit Afrim Bunjaku, Arbenita, e ka mbajtur një fjalë të shkurtër në mbledhjen përkujtimore.

Arbenita e përlotur theksoi se e tërë Kosova do ta kujtojë me dhimbje dhe me mall.

“Heroi im, babai im, sa vështirë e kam të shkruaj për ty babai im, para kohës mbeta jetim, kurrë se kam besuar. Ika jote na la një plagë të madhe në zemër. Babi nuk e di si do të jetoj pa ty. Hyra brenda në shtëpi dhe ty nuk të pash, e rëndë për mua, vendin tënd në shtëpi nuk e zëvendëson askush.

Të gjitha na e besove, por si të jetojmë pa ty asnjëherë. U flijove për këtë vend që ne dhe Kosova që të jemi krenar për heroizmin tënd. Do të jemi krenar për ty, me mall dhe me dhimbje do të kujtojmë”, u shpreh Arbenita.

Kurti në mbledhjen përkujtimore për Bunjakun: Nga dje asgjë më nuk mund të jetë njësoj

Kryeministri Albin Kurti ka folur sot në mbledhjen përkujtimore për policin e vrarë në veri, Afrim Bunjakun.

Bunjaku u vra gjatë një sulmi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit.

“Nga dje asgjë më nuk mund të jetë njësoj. Faktet dolën sheshazi para syve tanë, para bashkësisë ndërkombëtare, para secilit që ka kurajë dhe vullnet për ta parë të vërtetën e rajonit në të cilin jetojmë”, ka thënë Kurti.

Kurti tha se Kosova veproi me maturi dhe në përputhje me natyrën e saj perëndimore.

“Sot përballë e pranë portretit të Afrim Bunjakut dhe përballë veprës së tij heroike përkulemi me nderime dhe respekt, si dhe zotohemi për drejtësi dhe kujdes”.

Osmani i ndan Afrim Bunjakut urdhrin postmortem “Hero i Kosovës”

Osmani i ndan Afrim Bunjakut urdhrin postmortem “Hero i Kosovës”, ua dorëzon dy djemëve të tij

Presidentja Osmani në mbledhjen komemorative në nderim të rreshterit Afrim Bunjaku, i ka ndarë urdhrin postmortem “Hero i Kosovës”.

“Jemi mbledhur në këtë ceremoni mortore për t’ia dhënë lamtumirën e fundit, policit tonë rreshterit Afrim Bunjaku i cili deri dje ishte gardian i sigurisë ndërkaq prej sot është hero i Kosovës. Ai ra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, ra në mbrjotje dinjitetit, prandaj sot në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës  do t’i ndaj postmortem urdhin më të lartë të Republikës, urdhrin “Hero i Kosovës”. Shteti ynë nga sot ka edhe një hero, ka një kujtim me shumë për një njeri me profesionalizëm dhe përkushtim iu dedikua mbrojtjes së republikës për të cilën ra në krye të detyrës, sot po nderojmë një rreshter trim dhe vetmohues që sakrifikoi jetën për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë.

“Afrim Bunjaku si të gjithë pjesëtarët tjerë të PK dje u sfiduan nga bandat terroriste të dirigjuara nga Beogradi dhe bënë atë që duhet, rikthyen ligjin, mbrojtën integritetin territorial e sovranitetin tonë dhe vunë në vend dinjitetin.

“Republikën e Kosovës nuk do të arrijë askush ta gjunjëzojë e përulë përderisa ka vajza e djemë si Afrimi, që e vendosin interesin e Republikës para fatit individual.”

Presidentja Osmani i jep urdhrin Hero reshterit Afrim Bunjaku

Ka nisur mbledhja komemorative në nderim të rreshterit që u vra dje në Veri, Afrim Bunjaku.

Pjesë e kësaj mbledhje është edhe presidentja Osmani.

Presidentja edhe ndau urdhrin Hero I shtetit, reshterit Afrim Bunjaku.

Kujtojmë që në orën 16:00 do të varroset polici Bunjaku.

Nis mbledhja komemorative në nderim të Afrim Bunjakut, marrin pjesë Osmani, Kurti e Konjufca

Ka nisur mbledhja komemorative në nderim të rreshterit që u vra dje në Veri, Afrim Bunjaku.

Në këtë mbledhje po marrin pjesë numër i madh njerëzish, përfshirë presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe kryekuvendarin Konjufca.

Aty gjenden edhe familja e rreshterit Bunjaku.

Mbledhja ka nisur me intonimin e himnit shtetëror dhe më pas është mbajtur një minutë heshtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat