Quni i LDK’së: Rusia është e interesuar të krijojë vatra të reja të krizës

Aktuale

Quni i LDK’së: Rusia është e interesuar të krijojë vatra të reja të krizës

Më: 30 shtator 2023 Në ora: 06:20
Anton Quni i LDK-së

Anton Quni i LDK-së ka deklaruar në emisionin DPT te Fidani, se tentativa e Rusisë për të pasur ndikim në Kosovë është shumë e dukshme, sidomos edhe pas sulmit të fundit terrorist të Serbisë në Kosovë, me të cilën tha se koordinohet.

Sipas tij, Rusia është e interesuar të krijojë “vatra të reja të krizës”, dhe se parakushtet për këto vatra të reja i gjen në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.

“Duhet me pasë në konsideratë interesat e përbashkëta të Rusisë dhe Serbisë, po ashtu interesat e veçanta të Rusisë kur shtyhen përpara edhe pa miratimin e Beogradit. Rusia me çdo kusht është e interesuar të krijojë vatra të reja të krizës. Parakushtet për këto vatra të reja ekzistojnë në Bosnjë e Hercegovinë, dhe Kosovë, për çështje të ndryshme duke filluar nga marrëdhëniet ndëretnike deri te pakënaqësitë sociale”.

Kërcënime të tilla, Quni tha se mund të vinë me ose pa koordinim mes Rusisë dhe Serbisë, por se shtoi se Kosova duhet të jetë e përgatitur për të dyja skenaret.

“Ka momente kur këto operacione bëhen me kapacitete të përbashkëta, janë bilaterale, por ka edhe operacione që janë të ndame, d.m.th Serbia i bën pa koordinim me Rusinë apo Rusia zhvillon operacione pa dijeninë e autoriteteve të Serbisë. Sidoqoftë, ne duhet të jemi të përgatitur për të gjitha opsionet. Çdo ditë situate ndryshon dhe evoluon”.

Megjithatë, deputeti opozitar theksoi se komuniteti ndërkombëtar nuk do ta lejojë destabilizimin e rajonit.

“Përkundër përpjekjeve që të cenohet territori i Republikës së Kosovës, unë jam mëse i bindur se të gjitha këto suksese të arritura deri tani në fuqizimin e shtetit, në veçanti në bashkëpunimin dhe punën e përbashkët me partnerët tanë strategjikë, nuk do të lejohet nga komuniteti ndërkombëtar që Serbia të triumfojë si faktor destabilizimi në rajon”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat