Edhe në rigjykim, dy ish-policët deklarohen të pafajshëm për marrje ryshfeti

Aktuale

Edhe në rigjykim, dy ish-policët deklarohen të pafajshëm për marrje ryshfeti

Më: 30 shtator 2023 Në ora: 07:57
Foto ilustrim

Dy ish-zyrtarët policorë, Lutfi Menxhiqi dhe Lavdim Osmani, të premten, në seancën e rigjykimit janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për marrje ryshfeti.

Deklarimin e tyre rreth fajësisë, dy të akuzuarit e bënë pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast Osmani dhe Menxhiqi, po akuzohen se në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet.

“Nuk e ndjen veten fajtor”, tha i akuzuari Osmani.

Lidhur me akuzat për korrupsion i pafajshëm u deklarua edhe i akuzuari Menxhiqi, ndërsa pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Menxhiqi për armëmbajtje pa leje, u pajtua edhe prokurorja Fitore Sadikaj si dhe mbrojtësi i tij, avokati Skender Musa, të cilin pranim më pas gjykata e ka aprovuar.

Ndërsa, sa i përket shpalljes së aktgjykimit për këtë vepër, gjykatësja e rastit Sulltane Hoti tha se do të behët në fund të procedurës.

Shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Driton Berisha, i cili deklaroi se qëndron pranë deklarimeve të tij të dhëna më parë.

Dëshmitari Berisha, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit së të akuzuarit Osmanit, avokatit Muhamet Muaj, ka thënë dikur gjatë vitit 2012-2013 tek Mentor Maqani ka punuar në bastore deri sa ato janë mbyll.

Ndërsa, personat Ilir Bojku dhe Ismet Osmani, dëshmitari Berisha deklaroi se nuk i njeh.

I njëjti deklaroi se iu kishte dhënë para ish-zyrtarëve policorë, tani të akuzuarve.

“Po kam dhënë. U kon tek parkingu te Gjykata Kushtetuese nëse mundem me thonë dhe ky ka qenë takimi i parë”, deklaroi Berisha.

Këto para, ai tha i kishte dhënë vetëm pse ashtu iu kishte kërkuar nga Mentor Maqani, duke shtuar se arsyet se pse ua ka dhënë nuk i di, por se ka menduar se për lojëra të fatit.

‘Jo nuk më ka treguar se pse m’i ka dhënë këto para për me jau dërgua zyrtarëve policorë”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, sipas tij, Mentor Maqani këto para për t’ua dërguar zyrtarëve policorë ia kishte dhënë 2-3 përpara.

Ai tha se Mentori nuk ka cekur emra se cilëve zyrtarë t’ua japë këto të holla.

“…sepse atë ditë në parkingun e Gjykatës Kushtetuese unë nuk i kom njohur asnjërin nga zyrtarët policorë, as me emra as me fizionomi nuk kam mundur me dit kush janë”, tha tutje Berisha.

Kurse, se si kishte rënë në kontakt me hetuesit policorë në parking dhe në “Central”, ai tha se aty kishte shkuar me D.H.

Tutje, dëshmitari Berisha ka deklaruar se nuk i kujtohet t’i ketë dhënë para direkt të akuzuarit Menxhiqi.

Gjithashtu ai tha se nuk i kujtohej nëse Mentori në takimet e mëvonshme ta ketë përmendur emrin e Faton Zabergjës.

Me të akuzuarin Osmani, dëshmitari tha se nuk i kujtohet saktë sa herë ishte takuar, por sipas tij, herën e parë ishte takuar shumë shkurt tek parkingu i Gjykatës Kushtetuese dhe herën e dytë në “Central”.

I njëjti po ashtu ka deklaruar se nuk i kujtohet se çfarë kanë biseduar, por sipas tij, i akuzuari Osmani s’ka thënë asgjë vetëm i ka pranuar parat dhe i ka futur në xhep.

Dëshmitari Berisha, po ashtu ka thënë se Mentor Maqani e vu në kontakt me D.H.

Ndërkaq, Berisha ka thënë se roli i tij ka qenë vetëm si korrier.

Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit bashkëpunues D.H, i cili deklaroi se qëndron pranë deklarimeve të dhëna më parë.

Dëshmitari bashkëpunues D.H ka thënë se të akuzuarin Osmanin e njeh edhe para këtij rasti, duke shtuar se me të ishte takuar e kishte pirë kafe si shok.

Ndërsa, Mentor Maqanin ai tha se kishte njohur pak e hiç, ndërsa Driton Berishën tha se e ka njohur.

Sipas D.H, Dritoni i kishte kërkuar që të vinte në kontakt me zyrtarët policorë.

Ndërsa, se pse pikërisht këta zyrtarë policorë ishin kontaktuar, D.H ka thënë se kjo kishte qenë një lloj hakmarrje.

“Sepse kish pas një hakmarrje tjetër Mentori edhe dikush tjetër, që Mentori më herët kish qenë në paraburgim”, tha D.H.

E kur u pyet se pse e përmendi fjalën hakmarrje, D.H tha se sipas mendimit të tij, arsyeja është se i akuzuari Osmani e kishte burgosur Mentor Maqanin.

“…sepse m’doket se Lavdimi e ka burgos Mentorin dhe për këtë arsye Mentori sipas meje e ka pas për hakmarrje”, shtoi D.H.

Gjatë deklarimit të tij, prokurorja Sadikaj kërkoi nga gjykata që të njëjtit t’i tërhiqet vërejtja dhe të paralajmërohet për pasojat dhe benefitet që i ka si dëshmitar bashkëpunues sepse mund t’i hiqet ky status.

Sipas saj, për të njëjtin edhe në shqyrtimet e kaluara ka pasur vërejtje për deklarimet e tij, andaj ajo tha se ky është paralajmërimi i fundit për të.

Po ashtu vërejtje patën edhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Musa dhe Muajaj.

Sipas avokatit Mujaj dëshmitari nuk i plotëson kushtet të jetë si dëshmitar bashkëpunues, ndërsa avokati Musa kërkoi nga gjykata që të sigurohet një proces i drejte dhe të sigurohet barazia e palëve në procedurë.

“Sa i përket reagimeve të prokurores dhe kërkesave për t’ia tërhequr vërejtjen janë presione, frikësime të dëshmitarit, dëshmitari edhe në procesin e parë gjyqësor që është prish për shumë shkelje ligjore ka deklaruar se nuk qëndron pranë dëshmisë së dhënë si dëshmitar bashkëpunues”, ka thënë avokati Musa.

Sipas tij, kur i njëjti është paraqitur në prokurori ka qenë marrëveshja e prokurorit dhe avokatit të tij që të bëhet dëshmitar bashkëpunues sepse i njëjti ka qenë në gjendje shumë të rënë shpirtërore për shkak të humbjes së djalit të tij.

Mirëpo, trupi gjykues pas këshillimit vlerësoi se prokurorja e shtetit ka të drejtë që dëshmitarit bashkëpunues t’ia tërheqë vërejtjen dhe ta njoftojë me detyrimin tij si dhe me pasojat ligjore sa i përket cilësimit të tij.

Seanca e sotme u ndërpre me kërkesë të prokurores Sadikaj, e cila tha se ka një urgjencë në punë, ndërsa seanca e radhës u caktua më 7 nëntor 2023.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, më 14 shkurt të 2022, kishte shpallur fajtor Osmanin dhe Menxhiqin duke i dënuar në total me 12 vite burgim dhe me 8 mijë euro gjobë.

Fillimisht Osmani nga Themelorja për shkak të veprës penale në vazhdimësi në bashkëkryerje ishte dënuar me 4 vite burgim dhe me 2 mijë euro gjobë dhe për veprën penale “Marrje ryshfeti” me 3 vite burgim dhe me 2 mijë euro gjobë duke i shqiptuar kështu dënim unik me 6 vite e 6 muaj burgim dhe me 4 mijë euro gjobë.

Tutje për Menxhiqin Themelorja për shkak të veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar ishte dënuar me 2 vite burgim dhe me 2 mijë euro gjobë dhe për veprën penale në vazhdimësi me 4 vite burgim dhe me 2 mijë euro gjobë duke i shqiptuar kështu dënim unik me 5 vite e 6 muaj burgim dhe me 4 mijë euro gjobë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 3 maj 2023, ka marrë vendim, përmes të cilit ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj Menxhiqit dhe Osmanit.

Vendimi i Apelit për këtë çështje erdh pas mbajtës së seancës në këtë gjykatë më 5 prill 2023, ku edhe ishin shqyrtuar ankesat e mbrojtësve të dënuarve Lavdim Osmani avokati Muhamet Mujaj dhe për Lutfi Menxhiqin avokati Skender Musa.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 30 qershor 2020, Osmani dhe Menxhiqi, po akuzohen se në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet.

Siç përshkruhet në aktakuzë, të akuzuarit paraprakisht ishin takuar në kafenenë “Central”, me D.H dhe kishin arritur marrëveshje, që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit, ku posa kishin dalë nga kafeneja dhe kishin shkuar afër Gjykatës Kushtetuese, ishin takuar me Driton Berishën dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1 mijë e 500 euro, në prezencë të D.H.

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 26 nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, dy të akuzuarit kishin pranuar ryshfet, në atë mënyrë që paraprakisht i akuzuari Menxhiqi e kishte organizuar takimin.

Në aktakuzë thuhet se ai i ka kërkuar të akuzuarit Osmani që të takohet me D.H., i cili ishte takuar me Driton Berishën dhe D.H në lokalin “Central”, derisa me veturë e kishin dërguar tek banesa e tij, e më pas Berisha ia kishte dhënë 3 mijë euro Osmanit, me qëllim që të mos pengojnë veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.

Sipas aktakuzës, ky ryshfet ishte ndarë në mes të akuzuarve në dy pjesë nga 1 mijë e 250 euro, ndërsa 500 euro ia kishin dërguar kolegut të tyre Faton Zabergja për një rast tragjik që i kishte ndodhur.

Osmani po akuzohet edhe se më 9 janar 2020, në rrugën C, në Prishtinë, nga dëshmitari bashkëpunues D.H., kishte pranuar 3 mijë euro ryshfet, para të cilat dëshmitari Mentor Maqani, në restorant “Marigona”, afër QMI-së, ia kishte dorëzuar dëshmitarit bashkëpunues D.H.

Po ashtu, Osmani akuzohet se më 5 shkurt 2020, në lagjen “Mati 1”, në Prishtinë, nën masat e simulimit të veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani ia kishte dorëzuar paratë prej 3 mijë euro dëshmitarit D.H.

Më pastaj, në aktakuzë thuhet se ky i fundit ishte nisur menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i kishte ndërruar, 1 mijë e 300 euro ia kishte dorëzuar Osmanit dhe të tjerat i kishte ndalë për vete, ndërsa Osmani ishte arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij ishin gjetur paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.

I akuzuari Menxhiqi po dyshohet se më 4 dhjetor 2019, pasi ishin marrë vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019 në Prishtinë, afër kafenesë “Central”, me dëshmitarin Driton Berishën dhe D.H, për t’i njoftuar për aksionet e policisë, i kishte dërguar informata dëshmitarit D.H me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.

Këtë thuhet se e kishte bërë me 4 dhjetor 2019, kur dëshmitari D.H., i kishte kërkuar informata nëse kishte filluar ndonjë kontroll nga policia ndaj lojërave të fatit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Menxhiqi përmes rrjetit “Viber”, i kishte dërguar mesazh D.H., duke e njoftuar se policia kishte filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar: ”D po dal vet, po këqyri se si i Fushë Kosovës po më duket paska hyrë s’ju kishin dhënë kompetencë edhe stacioneve më të hyjnë në do raste tani i dorëzojnë te ne, po unë po nisna menjëherë po këqyri çka ka”.

Menxhiqi po akuzohet edhe se më 5 shkurt 2020, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë, në shtëpinë e tij, gjatë kontrollit sipas urdhërkontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga IPK, ishin gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, me dy karikatorë dhe të gjitha ishin konfiskuar nga IPK-ja.

Për këto veprime, prokuroria dy të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”, ndërsa Menxhiqin po e ngarkon edhe me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndryshe në aktakuzë, prokuroria kishte propozuar që të pandehurve t’u ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike pas mbajtjes së dënimit me burgim, të konfiskohen 9 mijë euro të gjetura në shtëpinë e të pandehurit Menxhiqi dhe ato të gjetura në xhepin e Lavdim Osmanit në vlerë prej 1 mijë e 300 euro gjatë arrestimit.

Gjithashtu, prokuroria ka propozuar që të konfiskohen paratë e dëshmitarit bashkëpunues, D.H në vlerë prej 4 mijë e 339 euro e 43 centë dhe 48-.00 FR, edhe pse sipas prokurorisë, D.H., kishte qenë i pandehur, mirëpo me urdhër të gjykatës kishte marrë cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues, ka bazë të mjaftueshme që vërtetohet se gjatë pranimit dhe dorëzimit të ryshfetit paratë e veta personale i ka ndërruar me paratë të cilat kanë qenë të destinuara për ryshfet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat