Alarmi i SHBA-së për ushtrinë serbe afër kufirit me Kosovën, flasin Arifi e Kamberi

Aktuale

Alarmi i SHBA-së për ushtrinë serbe afër kufirit me Kosovën, flasin Arifi e Kamberi

Më: 30 shtator 2023 Në ora: 13:52
Arifi, Kamberi

Nga Këshilli për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të premten është ngritur alarmi për shtim të madh të forcave serbe në afërsi të kufirit me Kosovën dhe është bërë thirrje për tërheqjen e tyre. Sekretari Amerikan, Antony Blinken, ka telefonuar presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic të cilit i ka kërkuar de-eskalim të menjëhershëm, ndërkohë që këshilltari kryesor i Joe Biden, Jake Sullivan, ka telefonuar kryeminisrin Albin Kurti, me të cilin ka biseduar për situatën e krijuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Lidhur me alarmin amerikan për shtim të trupave, Gazeta Express ka biseduar me dy përfaqësues të shqiptarëve të Luginës, kreun e Preshevës, Shqipërim Arifin dhe deputetin e Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberin.

Kreu i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, ka thënë për Express se s’ka informacione se cila mund të jetë situata në vijën kufitare, por thekson se ka shtim të xhandarmërisë serbe në disa pika në qytetin e Preshevës dhe jashtë qytetit.

“Nuk kemi mundësi të shikojmë se ku janë vendosur apo ku nuk janë vendosur. E di që ka pasur lëvizje të madhe, e kam paralajmëruar në disa paraqitje ditëve të kaluara. Ajo që kam parë me sy e mi është që është shtuar xhandarmëria në disa pika në qytet dhe jashtë qytetit. Kjo është cfarë kam parë me sytë e mi. Kurse çfarë ndodh në hapësirat e larta ku është vija kufitare mes Kosovës dhe Serbisë s’kemi mundësi të kontrollojmë“, ka thënë Arifi.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i pyetur rreth alarmit të SHBA-së për shtim të trupave, ka thënë se gjatë të hënë dhe të martës ka pasur lëvizje të madhe gjatë ditës së hënë dhe të martë, por ditëve të fundit jo.

“Ka patur lëvizje të hënën dhe të martën, por këto ditë jo”, ka thënë Kamberi.

Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit dhe tensiomit të situatës, Këshilli Atlantik ka miratuar kërkesën për shtim të trupave të NATO-s në Kosovë.

Britania e madhe menjëherë ka bërë ndryshim në komande dhe ka vënë në dispozicion të NATO-s një numër trupash.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Serbisë për de-eskalim të menjëhershëm dhe që autorët e ngjarjes së 24 shatorit të mbahen përgjegjës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat