Rama nga Zagrebi: Shpallja e zisë kombëtare në Serbi, akt po aq i rëndë sa vrasja e Afrim Bunjakut

Aktuale

Rama nga Zagrebi: Shpallja e zisë kombëtare në Serbi, akt po aq i rëndë sa vrasja e Afrim Bunjakut

Më: 2 tetor 2023 Në ora: 15:28
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur për sulmet terroriste në veri të Kosovës, ndërsa ishte në një konferencë me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Rama u shpreh se vrasja e efektivit Afrim Bunjaku dhe nderimi i agresorëve serb nga Vuçiç, janë të dënueshme në të gjitha nivelet. Ndërsa theksoi se e vetmja rrugë është dialogu mes Kosovës e Serbisë.

“Vrasja e një efektivi të policisë së Kosovës nga një grup kriminal i armatosur dhe zia kombëtare e shpallur në Beograd për anëtarët e këtij grupi janë të dënueshme në të gjitha nivelet. Ky është qëndrimi ynë. Duke qenë promotorë të dialogut dhe paqes përfundimtare që kalon nga njohja e republikës së Kosovës, duke u përpjekur gjithmonë të jemi të drejtpërdrejt, ne e konsiderojmë këtë zhvillim, ose më saktë këto dy zhvillime.

Shpallja e zisë kombëtare për persona që ishin përfshirë në vrasjen e një efektivi policie dhe të eliminuar si kriminelë është po kaq e rëndë sa ajo që i parapriu. Jemi të keq ardhur për një zhvillim të tillë, jemi të bindur se e vetmja rrugë është dialogu të mbështetur nga BE dhe SHBA, jo shfaqjet e ushtrisë serbe në kufirin e Kosovës që nxisin tensione.

Është pozitive që ushtria serbe u tërhoq, por është negative që ushtria serbe përdoret për shfaqje të tilla. Rajoni duhet të jetë i bashkuar në drejtim të paqes dhe integrimit në BE”, u shpreh Rama.

Ndërsa kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç tha se sulmi ishte i planifikuar duke e konsideruar një incident serioz.

“Kroacia e dënon me forcë vrasjen e policit të Kosovës nga grupe të armatosura, ishte i planifikuar sulmi, Konsiderojmë që është incident serioz, ka forca që duan të destabilizojnë situatën mes Kosovës dhe Serbisë, Reagimi i ndërkombëtarëve duhet të jenë të forta dhe të përkrahin institucionet e Kosovës. Nga ana tjetër duhet të eskalohet gjendja”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat