Analistët gjermanë për Kosovën: “Serbia duhet të ndalet, nëse është e nevojshme edhe ushtarakisht”

Aktuale

Analistët gjermanë për Kosovën: “Serbia duhet të ndalet, nëse është e nevojshme edhe ushtarakisht”

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 17:02
Policia e Kosovës

Tabloidi gjerman Bild foli me tre ekspertë për përshkallëzimin e situatës rreth Kosovës dhe pyeti: A po kërcënon një luftë e re? A ka dorë Putini në të? Çfarë duhet të bëjë BE-ja tani?

Bild në hyrje të tekstit thekson se çfarë ndodhi të dielën, më 24 shtator, “kur 30 serbë të armatosur rëndë në veri të Kosovës sulmuan policët e Kosovës. Një polic u vra dhe një tjetër u plagos rëndë. Në sulm u vranë tre sulmues serbë”.

Gjithashtu thuhet se “Presidenti serb Aleksandar Vuçiq (53), i cili ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, ka vendosur ushtrinë në kufirin me Kosovën”.

Bild foli me ekspertë për këtë dhe pyeti: “A kërcënon një luftë e re?” A ka dorë Putini në të? Çfarë duhet të bëjë BE-ja tani?”

Erhard Buhler (67), gjeneral në pension dhe ish komandant i KFOR-it, thotë se ngjarjet aktuale në kufi janë “shqetësuese”. “Kjo është hera e tretë në dy vjet që Vuçiq ka dislokuar trupat e tij – por kurrë nuk ka qenë aq e rrezikshme dhe masive sa tani. Duhet të marrë fund”, tha Buhler.

“Rusia dhe Serbia, Putini dhe Vuçiq, po mbështeten në konfliktet e ngrira etnike në Ballkan, të cilat mund të rifillojnë në çdo kohë. Putin është padyshim një pjesë aktive e këtij konflikti. BE dhe NATO duhet të vendosin sanksione ndaj Beogradit. NATO e trajton Ushtrinë Serbe si partnere dhe e fton në stërvitje. Politikisht, ne duhet të vazhdojmë të flasim, por partneriteti ushtarak tani duhet të vendoset në pritje”, tha Buhler për Bild.

Jakov Devçiq, kreu i zyrës në Beograd të Fondacionit Konrad Adenauer (CDU), tha për Bild për vendosjen e ushtrisë serbe se “ishte një demonstrim i forcës dhe një masë parandaluese nga Kosova, e cila filloi të vendoste policinë e saj speciale në veri disa muaj më parë”. Ai beson se lufta nuk ka gjasa: “Shumica e serbëve nuk duan ta njohin shtetin e Kosovës në asnjë formë, por as nuk janë të interesuar të luftojnë për të”.

Devçiq paralajmëron “një tjetër zonë krize të hapur në Evropë, pikërisht përpara zgjedhjeve evropiane dhe zgjedhjeve presidenciale në SHBA – në vitin 2024”.

“Vakuumi i pushtetit që rrethon zgjedhjet në Perëndim do të kufizojë aftësinë tonë për të vepruar,” tha ai.

BE-ja dhe KFOR-i do të duhej të vepronin më fuqishëm, mendon ai.

“Pa një prani më të madhe të Perëndimit, pra edhe të Gjermanisë, në veri të Kosovës, nuk do të ketë paqe dhe siguri”, thotë Devçiq për një tabloid gjerman.

Konrad Kleving nga Instituti Leibniz për Kërkimet e Evropës Lindore dhe Juglindore thotë për Bild:

“Kësaj radhe situata është më e rrezikshme. Sepse trupat sigurisht që mund të përdoren për sulme në territorin e Kosovës. Sot, për herë të parë, mendoj se është e mundur një luftë e re, megjithëse ende nuk ka shumë gjasa që të ndodhë”.

Kleving thotë arsyet e mendimit të tij “Në fjalimin e tij drejtuar kombit të dielën në mëngjes, Vuçiq tha se bëhet fjalë për “sovranitetin serb dhe ‘integritetin territorial’ (përfshirë Kosovën!)”, dhe se Serbia do të fitojë.

“Fakti që forcat e KFOR-it të udhëhequra nga NATO janë stacionuar në Kosovë që nga viti 1999 dhe se atyre u lejohet të ndërhyjnë menjëherë ushtarakisht do të thotë se “kalimi i kufirit serb në Kosovë nga ushtria serbe çon në mënyrë të pashmangshme në një luftë midis Serbisë dhe NATO-s”, tha Kleving. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat