Scholz paralajmëron bisedime në Spanjë për tensionet Kosovë-Serbi, ka një kërkesë

Aktuale

Scholz paralajmëron bisedime në Spanjë për tensionet Kosovë-Serbi, ka një kërkesë

Më: 4 tetor 2023 Në ora: 23:50
Olaf Scholz

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka bërë thirrje të mërkurën për një zgjidhje paqësore të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se për Gjermaninë është shumë e rëndësishme që tensioni aktual mos të eskalojë.

Për këtë, ai thotë se shtetet si Gjermania, Franca dhe Italia janë të përkushtuar që ta gjejnë një zgjidhje, duke iu referuar dialogut Kosovë – Serbi.

“Për mua është shumë e rëndësishme që situata të mos eskalojë më tej kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën. Bëhet fjalë për një zgjidhje paqësore dhe kjo është ajo që ne jemi shumë të përkushtuar. Gjermania, Franca dhe Italia janë veçanërisht aktive në këtë drejtim”, tha Scholz gjatë një konference me kryeministrin bullgar Nikolai Denkov.

Ai shtoi se çështja do të diskutohet gjithashtu të enjten dhe të premten kur udhëheqësit nga afro 50 vende evropiane të takohen në Granada, Spanjë.

Në këtë ngjarje do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ku është raportuar se vendet evropiane do të përpiqen që të organizojnë një takim në mes Osmanit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Më herët gjatë ditës, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme gjermane e quajti tërheqjen e trupave të Serbisë nga kufiri me Kosovën një “hap të rëndësishëm”, por i kërkoi Beogradit të bëjë më shumë për të de-përshkallëzuar tensionet me Kosovën.

Ndërkaq, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock nesër do të vizitojë Shqipërinë ku do të takohet edhe me ministrat e jashtëm të Kosovës dhe Serbisë, në një kohë kur tensionet janë rritur, pas sulmit terrorist në veri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat