Osmani takohet me Macron-in, zbardhen detajet nga takimi - ja kërkesa e presidentes

Aktuale

Osmani takohet me Macron-in, zbardhen detajet nga takimi - ja kërkesa e presidentes

Më: 5 tetor 2023 Në ora: 08:02 Përditësuar në ora: 18:31 më 05.10.2023
Vjosa Osmani dhe Emmanuel Macron

Sulmi terrorist në veri, Osmani thotë se i kërkoi Presidentit Macron që Serbia të mbahet përgjegjëse

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani njofton se ka zhvilluar diskutim të rëndësishëm mbi zhvillimet e sigurisë në Kosovë, me homologun e saj francez Emmanuel Macron.

Presidentja Osmani njoftoi në platformën X se ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për aktin e agresionit të saj kundër Republikës së Kosovës.

Postimi i saj i plotë:

Një diskutim i rëndësishëm me presidentin francez Emmanuel Macron, mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë dhe angazhimin tonë të përbashkët për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm.

Theksoj rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për aktin e saj të agresionit kundër Republikës sonë.

Osmani e falënderon kryeministrin britanik që po i ndihmon Kosovës ta ruajë kufirin nga Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Granada të Spanjës është takuar me kryeministrin britanik, Rishi Sunak.

Osmani ka thënë se ka pasur rastin që të informojë kreun e Qeverisë britanike për situatën e sigurisë në Kosovës pas aktit të agresionit të Serbisë dhe e ka falendëruar atë për forcat shtesë që Britania e madhe po dërgon në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

Shefja e shtetit gjithashtu e ka falendëruar kryeministrin Suank pë ndihmën në ruajtjen kufirit dhe për të parandaluar akte të tjera agresioni.

Osmani ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për agresionin kundër Kosovës.

"Ne jemi mirënjohës që forcat e Mbretërisë së Bashkuar po na ndihmojnë të mbajmë kufirin tonë të sigurt në mënyrë që të parandalojmë akte të mëtejshme agresioni.Serbia duhet të mbahet përgjegjëse“, ka thënë Osmani.

Osmani nis takimin me presidentin francez Macron

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po zhvillon takim me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Osmani dhe Macron kanë hyrë në takim ballë për ballë.

Takimi i tyre është duke u mbajtur në kuadër të Forumit të Komunitetit Evropian që është organizuar në Granada të Spanjës.

Paraprakisht ajo ka takuar edhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Michel flet për Kosovën e Serbinë: Konflikti s’është problem vetëm për ta, por për gjithë kontinentin

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, në fjalën e tij në nisjen e takimit të Komunitetit Politik Europian sot në Spanjë, foli për konfliktet në Europë, duke përmendur edhe atë aktual mes Kosovës e Serbisë.

Ai tha se konfliktet janë problem për gjithë kontinentin dhe jo vetëm për ata që janë të përfshirë, derisa shtoi se ky samit duhet të luajë rol në uljen e tensioneve.

“Besoj që kjo platformë e Komunitetit Politik Europian ka një rol të rëndësishëm në uljen e konflikteve dhe ndihmon në zgjidhjen e tyre, në Transcaucasia (Armenia dhe Azerbajxhani) dhe ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Sepse konfliktet nuk janë vetëm një problem për ata që janë të përfshirë direkt, por janë probleme për rajonin dhe për kontinentin tonë. Dhe ne duhet të përdorim këtë platformë që të ndërtojmë më shumë besim në mes nesh”.

Presidentja Vjosa Osmani para se të niste ky takim kërkoi nga vendet europiane që të ndëshkojnë Serbinë për aktin e agresionit ndaj Kosovës.

Sulmi në Banjskë, Rama: BE-ja duhet të reagonte ashpër

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Spanjë ka deklaruar se situata në veri të Kosovës është e rrezikshme, pas vrasjes së policit nga grupi paramilitar serb.

Kryeministri Rama ka kërkuar  që veprimi i Serbisë që mbajti zi për të vrarët nga grupi terrorist që ekzekutuan policin e Kosovës, Afrim Bunjaku, është e papranueshme dhe duhet të dënohet nga BE-ja.

“Jemi të shqetësuar sepse është situata e rrezikshme, tani është një pikë ku vit pas viti potenciali i rrezikut është rritur, aktivitetet kriminale në atë pjesë ku pakica serbe është më tepër e përqendruar, tani janë lidhur me agjendën politike kështu që është shumë e rrezikshme”, ka theksuar ai.

Në këtë rast, sipas tij, ka nevojë që autoritetet e Kosovës të lëvizin përpara dhe të tregohen proaktivë në dialog dhe të marrin në konsideratë planin franko-gjerman që është një marrëveshje shumë e mirë për Kosovën dhe rajonin.

“Për herë të parë në 10 vitet e fundit, Shqipëria nuk u linjëzua me një deklaratë të BE-së pikërisht për këtë. Ne kemi qenë gjithnjë në dakordësi të plotë me BE-në dhe SHBA për domosdoshmërinë që autoritetet e Kosovës të jenë më konstruktive në dialog dhe në perspektiven time të përfitojnë dhe të arrijnë një marrëveshje të mirë. Por, në të njëjtën kohë, fakti që Serbia shpall Ditë Zie Kombëtare për të nderuar ata kriminalë paramilitarë që vranë një polic, do të ishte e mjaftueshme për Bashkimin Evropian që të reagonte ashpër dhe të thoshte që kjo nuk është evropiane, por është e ndëshkueshme”, ka deklaruar Rama.

Pyetjes së gazetarëve nëse i druhet një lufte, Rama ju përgjigj: “Lufta është fjalë shumë e madhe, por përpara se të jetë  vonë duhen ndërmarrë disa hapa. Ne jemi duke e ndjekur nga afër”.

Agresioni i Serbisë në Kosovë, Plenkoviq: Nuk mund të kalojë pa reagim të BE-së

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, teksa po hynte në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Granada të Spanjës, foli për mediat.

Ai u pyet për sanksionet ndaj Serbisë pas agresionit në Kosovë më 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Heroi Afrim Bunjaku.

Plenkoviq tha se kjo situatë nuk mund të kalojë pa reagim.

“Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kërkuar takim (me mua, shën.red.), që është mirë, për javën tjetër në vizitën e planifikuar në Zagreb, do të bisedojmë për këtë edhe sot. Ajo që është e rëndësishme është të shohim se cili është reagimi i BE-së, presim propozimin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë Borrellit, se si të reagojmë ndaj minikrizës në veri dhe incidentit të rëndë në Banjskë. Një situatë e tillë nuk mund të mbetet pa reagim”, tha Plenkoviq.

Plenkoviq pritet të zhvillojë takim bilateral me Osmanin gjatë samitit, por jo edhe me Vuçiqin.

Osmani në Spanjë diskutime me Scholz dhe Mitsotakis – Vuçiq shihet i vetmuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet në Spanjë, ku po merr pjesë në samitin e liderëve evropianë.

Gjatë këtij samiti, Osmani ka zhvilluar biseda të veçanta me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

Presidentja Osmani ka informuar homologun gjerman dhe kryeministrin grek për situatën aktuale në Kosovë, pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator.

Në fotografinë që ka siguruar media nga ky bashkëbisedim i Osmanit me Scholz dhe Mitsotakis, në prapavijë vërehet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili qëndronte i vetmuar.

Osmani para fillimit të samiti, ka deklaruar se nuk ka arsye për takim me Vuçiqin para sanksioneve.

“Nuk ka arsye për takim para sanksioneve, sanksione së pari pastaj mund të dialogojmë”, tha Osmani. 

Osmani: Shpresoj se Spanja do të vendosë masa ndaj Serbisë, të mbështetësh agresorin nuk ndihmon paqen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur rreth asaj se a pret që Qeveria e Spanjës do të vendosë masa ndaj Serbisë për shkak të agresionit të 24 shtatorit që u zhvilluar në Banjskë të Zveçanit nga një grup i serbëve, të drejtuar nga Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe.

Ajo, në hyrje të samitit të Komititeti Politik Evropian, ka deklaruar se shpreson që të vendosen masa, duke nënvizuar se Spanja është një shtet që është duke kontribuuar në paqen dhe stabilitietin e të gjithë kontinentit evropian.

“Shpresoj se ata do të kuptojnë që të mbështetësh një agresor, që është e qartë tashmë nga 24 shtatori, nuk do të ndihmojë paqen dhe stabilitetin”.

“Unë shpresoj se Spanja do të ndjek shtetet tjera evropiane që mendojnë të vendosin masa ndaj Serbisë për këtë akt të tmerrshëm që është jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër paqes dhe stabilitetit në të gjithë kontinentin”, ka thënë Osmani.

Osmani nga Granada: Nuk takohem me Vuçiqin pa iu vendosur sanksionet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ajo, para mediave në hapje të samitit të Komiteti Politik Evropian, ka treguar arsyet se pse nuk pranon të takohet me Vuçiq.

“Nuk ka asnjë arsye për t’u takuar përpara se të miratohen sanksionet ndaj Vuçiqit”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani: Jam në Granada të kërkoj nga aleatët përkrahje për ta sanksionuar Serbinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur në vendin ku do të mbahet takimi i Komunitetit Politik Evropian. Osmani ka thënë se janë kohë të vështira që po kalon kontinenti evropian dhe në veçanti Kosova.

Shefja e shtetit ka përmendur agresionin e e shtetit serb ndaj Kosovës që u realizua nga një grup paramilitarësh dhe terroristësh.

Presidentja Osmani ka thënë se në këtë qëndrim të saj në Granada do të kërkojë nga aleatët dhe partnerët që të vendosin sanksione ndaj Serbisë në mënyrë që Serbia të mos inkurajohet që të përsëris akte të tilla përsëri.

„Janë kohë të vështira për evropën, vecanërisht për Kosovën meqë së fundi u përballëm me një akt agresioni nga Serbia që u bë nga një grup paramilitarësh dhe terroristësh. Jam këtu për mbështetjen e aleatëve evropianë për të vendosur sanksione ndaj Serbisë. Dhe kështu ata s’do të inkurajohen që të përsërisisin akte të tilla ndaj Kosovës dhe fqinjëve, përsëri dhe përsëri“, ka thënë preisdnetja Vjosa Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat