Vazhdojnë kërcënimet ndaj serbëve lokalë

Aktuale

Vazhdojnë kërcënimet ndaj serbëve lokalë

Më: 5 tetor 2023 Në ora: 20:48
Foto ilustrim

Grupe kriminale serbe, të dirigjuara nga Beogradi, po vazhdojnë kërcënimet në raport me serbët lokalë në Kosovë, kur këta të fundit shërbejnë në kuadër të institucioneve të Kosovës. Ata kërcënohen e linçohen publikisht derisa nuk kursehen as politikanët lokalë serbë të cilët janë kritikë ndaj politikave zyrtare të Beogradit e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Kërcënimet dhe linçimet e Serbisë përmes njerëzve të saj në Kosovë, ndaj qytetarëve serbë, janë duke vazhduar.

Shumë serbë lokalë që dëshirojnë të bëhen pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës,kërcënohen e linçohen, madje publikisht.

Serbia këtë fushatë e realizon përmes grupeve kriminale në veri, organizatave tashmë të shpallura terroriste nga Kosova, “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore”.

Madje, kjo e fundit publikon emra dhe fotografi të pjesëtarëve të komunitetit serb që tashmë janë bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

Por, kush qëndron mbrapa këtyre organizatave.

RTK ka raportuar edhe ditë më parë se njëri prej tyre është Radisa Denoviq, personi që fshihet prapa profilit “Brigada Veriore”.

Nga ky profil në Facebook janë postuar kërcënime të ndryshme për zyrtarët e lartë shtetërorë të Kosovës. Denoviq është pjesëtar i kësaj organizate. Dyshohet se ka qenë i përfshirë në sulmet ndaj KFOR-it më 29 maj të këtij viti.

Mbështetësi kryesor i këtyre linçimeve duket se është presidenti serb Aleksandër Vuçiq. Madje, në një paraqitje, Vuçiqi kishte shënjestruar në mënyrë direkte ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe zëvendësen e tij.

Pas këtyre deklarimeve të Vuçiqit, kishin vërshuar kërcënimet e serbëve dhe të organizatave terroriste, ndaj ministrit Rashiq.

Të tilla kërcënime që vazhdojnë të bëhen, i kishin detyruar dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb që të japin dorëheqje.

Anëtarët e Komisioni Parlamentar për Siguri thonë se kjo qasje ndaj serbëve të Kosovës do të vazhdojë edhe më tej.

"Është e pa tolerueshme që policët e Kosovës t’i nënshtrohen një presioni të tillë. Ne i inkurajojmë qytetarët  e komunitetit serbë që t’i bashkohen policisë së Kosovës", thotë Enver Dugolli, deputet në LVV.

"Tani ka ndryshuar një kurs politik i Beogradit, dhe i si i tillë duhet të trajtohet në tavolinën e bisedimeve si temë shqetësuese e pengimit të zhvillimit të shtetit të Kosovës dhe kapaciteteve të saj nga vet Beogradi drejtpërdrejtë",  tha Hisen Berisha, deputet në PDK.

"Në emër të një patriotizmi artificial të krijuar nga Lista Serbe, ndikim prej Beogradi dhe tash ata i shohin se duhet me i linçua krejt ata që e njohin shtetin e Kosovës",  tha Bekë Berisha, deputet në AAK.

Ndërkohë, në muajt e fundit, nga 46 pjesëtarë sa ishin bërë pjesë e Policisë së Kosovës, të cilët do të shërbenin në veri të vendit, 7 prej tyre kanë dhënë dorëheqje, pas kërcënimit nga grupet kriminale serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat