Albesjana Iberhysaj-Kapitaj merr zyrtarisht detyrën e ambasadores në Çeki

Aktuale

Albesjana Iberhysaj-Kapitaj merr zyrtarisht detyrën e ambasadores në Çeki

Më: 6 tetor 2023 Në ora: 12:35
Albesjana Iberhysaj-Kapitaj

Albesjana Iberhysaj-Kapitaj nga sot do të fillojë zyrtarisht detyrën e ambasadores së Kosovës në Çeki.

Ajo sot ka dorëzuar letrat kredenciale tek presidenti i Çekisë, Petr Pavel.

“Sot, shpalosim një kapitull të ri në raportet me Republikën Çeke, ndërsa ecim të sigurt drejtë së ardhmes sonë euro-atlantike, si një shtet sovran, demokratik dhe multietnik. Por, nuk duhet harruar sa i gjatë ishte rrugëtimi dhe sa shumë përpjekje u deshën për të arritur deri këtu. Andaj, sot është momenti të kujtojmë dhe t’u jemi mirënjohës të gjithë miqve e aleatëve që me përkushtim qëndrojnë përkrah nesh në rrugëtimin e përbashkët për një të ardhme prosperuese”, tha ajo.

Njoftimi i plotë:

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj-Kapitaj i dorëzoi letrat kredenciale Shkëlqesisë së tij Presidentit të Republikës së Çekisë z. Petr Pavel, ajo me këtë rast shprehu mirёnjohjen pёr miqёsinё mes dy vendeve dhe i pёrcolli Shkёlqesisё sё Tij, pёrshёndetjet dhe shprehjen e konsideratёs mё tё lartё tё Presidentes sё Republikёs sё Kosovёs, Sh.S.Dr. Vjosa Osmani Sadriu dhe theksoi si në vijim:

”Nga sot filloj zyrtarisht detyrën e përfaqësimit të Republikës së Kosovës në nivel Ambasadori të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë.

Ngritja e nivelit të përfaqësimit pas më shumë se 15 vitesh nga lidhja e Marrëdhënieve Diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Çekisë, shënon një hap historik.  Ky gur themeli i fortë për marrëdhëniet tona bilaterale, do të shërbejë për të nxitur e shpalosur më tej edhe bashkëpunimin tonë në planin multilateral.  Kjo arritje,  pa padyshim është dëshmi e raporteve tona të shkëlqyera, të zhvilluara e forcuara ndër vite bazuar në një partneritet të qëndrueshëm, ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të demokracisë dhe  respektimit të të drejtave të njeriut.

Sot, shpalosim një kapitull të ri në raportet me Republikën Çeke, ndërsa ecim të sigurt drejtë së ardhmes sonë euro-atlantike, si një shtet sovran, demokratik dhe multietnik. Por, nuk duhet harruar sa i gjatë ishte rrugëtimi dhe sa shumë përpjekje u deshën për të arritur deri këtu.

Andaj, sot është momenti të kujtojmë dhe t’u jemi mirënjohës të gjithë miqve e aleatëve që me përkushtim qëndrojnë përkrah nesh në rrugëtimin e përbashkët për një të ardhme prosperuese.

Një falënderim i veçantë të gjithë miqve çekë, të cilët na mbështetën dhe punuan që raportet tona të arrijnë nivelin më të lartë të përfaqësimit. Mirënjohje Presidentit dhe Qeverisë Çeke për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin tonë euroatlantik.

Ndërsa flasim për historinë e re të marrëdhënieve tona, kujtojmë se lidhjet në mes dy vendeve janë të hershme, mjafton të kthehemi dekada më parë, për të nderuar përkushtimin e pashoq të Presidentit Havel. Presidenti i parë i një shteti mik që shkeli tokën e Kosovës së çliruar, menjëherë pas luftës në vitin 1999. Presidenti Havel ishte mik i shtrenjtë i Presidentit historik Rugova. Ata i bashkonte para së gjithash qëndrimi stoik në kundërshtimin ndaj ideologjive totalitare dhe regjimeve hegjemoniste dhe vizioni e besimi në fuqinë e demokracisë.

Në këtë kohë sfiduese për gjithë rendin global po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme që vendet që ndajnë të njëjta vlera, të punojnë së bashku për një botë më të mirë e më të sigurt.

E marr këtë mision me përulësi dhe me kënaqësi pres të vazhdoj të punoj ngushtë me qeverinë dhe popullin e Çekisë për të forcuar më tej marrëdhëniet tona dhe për të kontribuar për një të ardhme më të ndritshme dhe më të begatë për të dy vendet tona”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat