​Kraja: Shqipëria do të duhej të ishte promotor i integrimit të shqiptarëve

Aktuale

​Kraja: Shqipëria do të duhej të ishte promotor i integrimit të shqiptarëve

Më: 6 tetor 2023 Në ora: 12:40
Foto ilustrim nga vendngjarja

Duhet të ketë më shumë bashkëpunim mes vendeve të rajonit për të përforcuar ekonominë e vendeve, u tha në konferencën shkencore ndërkombëtare të mbajtur nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, me temën “Sfidat dhe perspektiva e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri dhe rajon”.

Qëllimi i kësaj konference ishte shkëmbimi i përvojave dhe informacioneve shkencore për të ngritur bashkëpunimin institucional si dhe ndërmarrjen e nismave të përbashkëta shkencore nga të dyja palët.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, tha se bashkëpunimi me Shqipërinë ka ngecur për shkaqe politike.

Gjatë konferencës, Kraja tha se nismat si “Ballkani i Hapur” kanë qenë politike dhe kanë dëmtuar marrdhëniet Kosovë-Shqipëri.

Kraja: Ballkani i Hapur ka dëmtuar marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri

“I takoj atij brezi dhe atij rrethi njerëzish të cilët integrimet e ndërvetshme, përfshirë edhe bashkëpunimin ekonomik e kanë kundruar si një komponent themelor të këtij integrimi dhe i kanë konsideruar vazhdimisht me prioritet kundrejt gjitha integrimeve të tjera, madje si pararendje ne integrimet e rrëmujshme evropiane. Po ashtu i takoj atij rrethi të cilët kanë besuar se një situatë ideale siç është kjo, ku Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete në vete, integrimi i ndërvetshem nuk është vetëm idealitet, është imanencë, është domosdoshmëri. Pse nuk po ndodhë kjo në masën që dëshirojmë. Duhet të themi qartë se është politika ajo që bënë pengesa, që i fut shkopinjtë nën rrotë integrimeve shqiptare. Shqipëria do duhej të ishte promotori i këtyre integrimeve dhe këtij bashkëpunimi, por është duke ndodhur e kundërta. Shqipëria ndonjëherë më shumë agresivitet i jep vetës rol patertnalist, ndonjëherë duke cenuar interesat vitale të Kosovës dhe herë të tjera duke margjinalizuar fuqinë vendimmarrëse të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. E them këtë duke menduar se ju ekspertë të ekonomisë do të thoni qartë se nismat si Ballkani i Hapur pavarësisht sa kanë qenë ekonomike ose politike ekonomike, ato kanë qenë thellësisht politike dhe kanë dëmtuar substancialisht marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri”, tha Kraja.

Sipas tij, Ballkani i Hapur i ndihmoi Serbisë të anashkalonte Kosovën në të gjitha marrëdhëniet rajonale.

Kraja: Ballkani i Hapur i ndihmoi Serbisë të anashkalonte dhe të margjilizonte Kosovën në të gjitha marrëdhëniet rajonale

“Të besosh se Shqipëria mund të flasë në emër të Kosovës duke mos marrë parasysh interesat e saj, njësoj sikur të besosh se marrëdhëniet e Shqipërisë me disa fqinjë ballkanik dëmtohen për shkak të Kosovës, është naivitet politik. Është po ashtu naivitet politik të besosh se marrëdhëniet Tiranë-Beograd mund të zhvillohen në harmoni të përsosur, jo më duke anashkaluar Kosovën, por duke prekur në substancë interesat e saj. Ballkani i Hapur i ndihmoi Serbisë të anashkalonte dhe të margjilizonte Kosovën në të gjitha marrëdhëniet rajonale. Po ashtu mendoj se ju do duhej të thoshit se në bashkëpunimin ekonomik Kosovë-Shqipëri janë krijuar disa parakushte të mira, siç është komunikimi, qarkullimi i papenguar i mallrave, i njerëzve dhe kapitalit, por duhet të evituar të gjitha pengesat e paarsyeshme”, shtoi Kraja.

Ndërsa, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, tha se duhet më shumë bashkëpunimin në sektorin ekonomik mes dy vendeve.

Gjinushi tha se mes këtyre dy vendeve nuk duhet të ketë asnjë shqetësim se kush përfiton më tepër.

“Bashkëpunimi midis kërkuesve dhe studiuesve të Shqipërisë dhe Kosovës është i domosdoshëm në të gjitha fushat e shkencës. Aq më tepër duhet bashkëpunim në fushën e ekonomisë. Kërkimi shkencor, tek ne bëhet më së pari për të zbatuar radhitjet shkencore dhe teknologjitë e reja në ekonomi, ashtu si dhe në arsim për përgatitjen e specialisteve të rinj në nivel të krahasueshëm me standardet e vendeve tjera. Integrimi evropian ka nisur si nevojë e integrimit ekonomik, ky proces që janë përfshirë Kosova dhe Shqipëria dhe globalizimi i përgjithshëm imponon një bashkëpunim në rritje jo vetëm me vendet e rajonit por më së pari mes nesh. Nga kjo perspektivë duhet t’i paraprijmë integrimit tonë evropian, në integrimin tonë të brendshëm në të gjitha fushat, por në përparësi në fushën e ekonomisë, me një synim orientues, dy vende, një ekonomi. Me këtë proces krahas bashkëpunimit, një rol të veçantë ka dialogu politikë-shkencë, i cili është më së i domosdoshëm. Krahas nevojës dhe dëshirës që kanë vendet për të bashkëpunuar, në përfitime reciproke me leverdi, ka në mënyrë të pashmangshme edhe interesa nacionale, dhe konkurrencë politike midis vendeve, ka tendenca kush përfiton më shumë nga ky hap integrimi. Midis nesh nuk duhet të ketë asnjë merak se kush përfiton më tepër dhe marrja e mendimit shkencor për çështjet e rëndësishme, do tu zbuste edhe ndonjë prirje për protagonizëm”, tha Gjinushi.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, foli për intensifikimin e bashkëpunimit.

Nagavci: Mënyra më e mirë për t’iu bërë ballë suksesshëm sfidave është duke punuar së bashku

“Duke qenë se ndajmë të njëjtën kulturë, gjuhë, gjeografi dhe një histori të përbashkët, Kosova dhe Shqipëria natyrshëm janë dy ekonomi të cilat përballen me sfida të ngjashëm dhe me perspektiva jo shumë të ndryshme. E kur sfidat janë të ngjashme, mënyra më e mirë për t’iu bërë ballë suksesshëm është duke punuar së bashku. Bashkëpunimi Kosovë dhe Shqipëri, ndonëse natyrshëm do duhej të ishte intensiv, jo gjithmonë ka qenë i tillë, por shpesh është shoqëruar me sfida të papritura, e të cilave zgjidhjet tradicionale jo gjithmonë u përshtaten. Në këto kushte është obligim i të gjithë neve të tregojmë të zgjuarit e shkathtë duke intensifikuar mënyrat e bashkëpunimit, duke identifikuar mënyrat e reja të adresimit, duke gjetur gjithmonë mundësinë për intensifikimin dhe bashkëpunimin efikas”, tha Nagavci.

Ndërsa, ministri i Arsimit, dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut, Jeton Shaqiri, tha se projekti i ndërtimit të autostradës në pjesën e korridorit 8 dhe 10-d do të ndihmojë dy vendet në aspektin ekonomik.

Shaqiri: Këmbimi tregtar veçse po rritet mes Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë

“Duke pasur parasysh edhe faktin pothuajse sikur gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kemi synime të njëjta, atë të orientimit drejt aderimit në familjen evropiane dhe mund të paraqesim të rëndësishme se edhe konkluzat e bazuara në fakte do të jenë lehtësime për bashkëpunim, i cili do të jetë një hap parapërgatitur për bashkëpunimin i cili do të vazhdojë më tutje. Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdim me ritëm dhe me hapa të sigurte për politikat ekonomike të zhvillimit ekomomik të vendit, siç kemi përmirësimin e treguesve ekonomik siç është rritja e pagës minimale, rendësi i kushtojmë edhe investimeve vendore, por gjithashtu edhe ndërkombëtare. Sa i takon bashkëpunimit me shtetet tjera, në theks të veçantë, me Kosovë dhe Shqipëri por edhe disa shtete tjera të vendeve ballkanike kemi këmbim të rëndësishëm tregtar, dhe këto vazhdimisht janë duke u rritur. Sa i përket një projekti shumë të rëndësishëm që do të ndikojë edhe në bashkëpunimin ekonomik, fillimin e procedurave për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10-d, i cili do të evitojë të gjitha pengesat infrastrukturore që kanë qenë për të përparuar edhe më shumë në aspektin ekonomik mes vendeve tona”, tha Shaqiri.

Ndërkaq, Guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili, tha se si BQK ndjekin me entuziazëm të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit ndërshtetërore që nënshkruhen nga shtetet tona.

Ismaili: BQK ndjek me entuziazëm të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit ndërshtetërore me Shqipërinë

“Në vrullin e ndryshimeve të mëdha që ka pësuar ekonomia botërore në vitet e fundit me theks në ndryshimet gjeopolitike, vendet tona të vogla nuk mund të paramendohet të vazhdojnë rrugëtimin pa bashkëpunim të thellë në gjitha fushat e jetës, përfshirë të ekonomisë me një qasje shumë disiplinore. Si BQK ndjekim me entuziazëm të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit ndërshtetërore që nënshkruhen nga shtetet tona. Në veçanti marrëveshjet ekonomike, ndihmojnë në rritjen e bashkëpunimit nder sektorial, integrimin e tregjeve dhe më gjerë”, tha Ismaili.

Kjo konferencë kishte për synim stimulimin e debatit mbi zhvillimet aktuale, idetë e reja, qasje dhe teoritë më të rëndësishme politika dhe strategji, shqetësime dhe sfidat e përbashkëta ne fushën e zhvillimit ekonomik dhe social, politika tregtare mes dy vendeve, sfidat e prodhimit të tregut të energjisë, zhvillimi i burimeve njerëzore, klimat dhe nxitja e investimeve të huaja në Kosovë, Shqipëri, rajon e më gjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat