Osmani dhe presidenti kroat ‘godasin’ Serbinë pas sulmit në Banjskë – flasin në detaje për dëshmitë

Aktuale

Osmani dhe presidenti kroat ‘godasin’ Serbinë pas sulmit në Banjskë – flasin në detaje për dëshmitë

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 07:12 Përditësuar në ora: 12:50 më 10.10.2023
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti kroat Zoran Milanoviq

Presidenti kroat thirrje shteteve anëtare të BE-së: Thyeni masat ndaj Kosovës, takohuni me përfaqësuesit e saj

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, iu ka bërë thirrje shteteve anëtare të BE-së që të thyejnë masat ndaj Kosovës dhe të takohen me udhëheqësit e saj.

Ai ka akuzuar Përfaqësuesin e Lartë, Josep Borrell, se i ka vendosur këto masa bashkë me ekipin e tij dhe jo Këshilli i Ministrave.

“Borrelli ministrit të Punëve të Jashtme të Kroacisë ia ka dërguar një letër dhe i ka thënë se Kroacia nuk ka të drejtë të caktuar dhe kur e shkruan një fëmijë është një gjë, kur e shkruan Përfaqësuesi i Lartë i Komisionit Europian është një gjë tjetër dhe aty ka theksuar një sërë pasaktësish dhe të gënjeshtrave të pranuara, të cilat i thonë Kroacisë se nuk ka të drejta të caktuara, por ka të drejtë.

Pra më sheh në sy dhe më gënjen. A duhet të hesht për këto gjëra? Pasi ekzistojnë masa të caktuara të Komisionit Europian dhe nuk guxojmë të flasim për komplotet e tyre dhe për veprimet e tyre të padrejta. Ata të cilët nuk kanë dëgjuar për faktin që Komisioni Europian ka masa ndaj Kosovës, i ftoj të gjithë që thyejnë këto masa, të shkelin këto masa dhe të takohen me përfaqësuesit e Kosovës dhe që t’i përsërisin këto”. 

Presidenti i Kroacisë godet Serbinë: Në bazën ku u stërvit grupi serb s’mund të futesh pa aprovim

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq tha se Serbia “duhet t’i japë disa përgjigje” për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.

Pasi e priti në Zagreb presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Milanoviq tha në një konferencë të përbashkët për media se në bazën e ushtrisë serbe ku u dëshmua se është stërvitur grupi terrorist duhet aprovim për t’u futur.

“Për t’u futur aty brenda, duhet të kesh aprovimin e dikujt”, tha ai.

Milanoviq theksoi se “armët, trajnimet, xhirimet që kanë lënë, të gjitha këto gjëra kanë mbetur në dispozicion të Kosovës”.

Presidenti kroat tregoi se si Kroacia arriti të luftojë dhe të triumfojë ndaj Serbisë përgjatë historisë, “natyrisht me çmim shumë të madh”.

“Janë krijuar shumë vrasje, gjëra të ndryshme, komplote”, tha ai ndër tjerash, duke iu referuar Serbisë.

“Por tani nuk jemi në vitin 1014, jemi në vitin 2023”, tha ai.

Presidentja Vjosa Osmani tha se i ka treguar Milanoviqit në takim në detaje dëshmitë për sulmin e 24 shtatorit.

“Në takim kemi diskutuar më në detaje”, tha ajo.

“Nuk kam asnjë dyshim, as nuk kam pasur ndonjëherë që Kroacia do ta përkrahë Kosovën”, tha Osmani.

Ajo tha se Milanoviq “ka qenë shumë i zëshëm në çdo forum ndërkombëtar në përkrahje të Kosovës”.

“Kemi mundur të llogarisim në lidershipin e z.Milanoviq që zëri i Kosovës të dëgjohet atje”, tha Osmani.

Osmani në konferencë me Milanoviq: Serbia do të ndihej më e fuqishme nëse s’ndëshkohet

Presidentja Vjosa Osmani në konferencën e përbashkët për media me homologun e saj kroat Zoran Milanoviq, ka kërkuar ndëshkimin e Serbisë për aktin agresor ndaj Kosovës dhe tha se duhet të shtohet siguria në kufirin me Serbinë.

“Presim edhe mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë në ballafaqim me këtë sfidë të rëndë të sigurisë, e cila ta destabilizojë jo vetëm Kosovën, por mund të ketë pasoja shumë më gjerë. Kontributi juaj dhe i gjithë institucioneve të Kroacisë është qenësor për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë. Pas aktit të agresionit të 24 shtatorit, fokusi duhet të jetë vënia e gjithë autorëve të këtij akti para drejtësisë së Republikës së Kosovës. Marrja e garancive të forta të sigurisë, sidomos për ta ruajtur kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe frenimi i Serbisë, sanksionimi i Serbisë për veprimet e saj si masë parandaluese për sulmet e tjera në të ardhmen”.

Osmani në Zagreb paralajmëroi se mosndëshkimi i Serbisë mund të sjellë sulme të reja nga ajo ndaj Kosovës.

“Nëse s’ndërmerren masa nga komuniteti euroatlantik, Serbia do të ndihej më e fuqishme dhe më e inkurajuar nga mosndëshkimi”.

Presidentja Osmani edhe në Kroaci tha se është dëshmuar nga të gjitha provat e mbledhura nga veriu pas sulmit se qëllimi i Serbisë është aneksimi i veriut.

Osmani pritet me ceremoni shtetërore në Kroaci

Presidentja Vjosa Osmani është pritur me ceremoni në Kroaci nga homologu i saj, Zoran Milanoviq.

Siç ka njoftuar Presidenca, fokus i diskutimeve do të jetë thellimi i mëtejmë i raporteve bilaterale dhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

Në agjendë të vizitës së Presidentes Osmani në shtetin kroat është edhe takimi me kryeministrin Andrej Plenković, si dhe kryetarin e Parlamentit kroat, Gordan Jandroković.

Në kuadër të kësaj vizite zyrtare, Presidentja Osmani do të ketë vizitë edhe në komunën e Rijekës, ku ndër të tjera, do të takohet me komunitetin shqiptar në këtë komunë.

Presidentja Osmani sot do të takohet me liderët e Kroacisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit Zoran Milanoviq sot gjatë vizitës zyrtare në Kroaci, do të ketë disa takime të nivelit të lartë.

Sipas agjendës e para e shtetit sot në orën 10:00, do të pritet me një ceremoni zyrtare dhe nderime të larta shtetërore nga presidenti kroat Zoran Milanoviq, ku pastaj do të ketë takim teta-a-tete me të.

Nga ora 11:00 do të ketë takime mes presidentëve me delegacione, ndërsa nga ora 11:30 do të mbahet një konferencë e përbashkët për media.

Osmani do të vazhdojë më takimet e tjera, ku nga ora 12:35–13:00, do të ketë takim me kryetarin e Kuvendit Gordan Jandrokoviq, ndërsa nga ora 13:05 takim me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq.

Sipas njoftimit nga zyra e Presidentes, fokus i diskutimeve do të jetë thellimi i mëtejmë i raporteve bilaterale dhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

Po ashtu bëhet e ditur se në kuadër të kësaj vizite zyrtare, presidentja Osmani do të ketë vizitë edhe në komunën e Rjekës, ku ndër të tjera, do të takohet me komunitetin shqiptar në këtë komunë. Ajo do të vizitojë edhe Karllovacin.

Zyra e presidencës kroate njofton se Presidenti Milanoviq dhe presidentja Osmani Sadriu do të diskutojnë për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, situatën politike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore, ngjarjet aktuale në veri të Kosovës dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore.

“Kroacia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë mbështetjen për dhënien e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Presidenti Milanoviç tashmë u ka bërë thirrje publikisht anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë. Dhe në fjalimin e tij të fundit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, presidenti Milanoviç theksoi se Kroacia mbron njohjen universale të Republikës së Kosovës dhe të drejtën e saj për të ekzistuar si anëtare e barabartë e bashkësisë së kombeve”, njofton presidenca kroate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat