Delegacioni i NATO-s në FSK, në fokus situata në veri

Aktuale

Delegacioni i NATO-s në FSK, në fokus situata në veri

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 14:38
Foto ilustrim

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, e kanë siguruar ndihmës sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus se Kosova do të vazhdojë angazhimin për zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve të FSK-së për mbrojtjen e territorit të vendit.

Po ashtu Maqedonci e Jashari thanë se do të vazhdojnë me mbështetjen ushtarake për autoritetet civile dhe operacionet e mbështetjes së paqes në bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë me KFOR-in.

Këto komente ata i kanë bërë në takimin që zhvilluan me ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Goffus, i cili gjatë vizitës në Kosovë u shoqërua nga drejtori i Divizionit të Operacioneve dhe Planifikimit të Shtabit Ushtarak Ndërkombëtar të NATO-s, gjeneralmajor Ulf Haeussler dhe drejtori i Ekipit Ndërlidhës Këshillues të NATO-s (NALT) gjeneralbrigade, Ralf Peter Hammerstein.

Temë e këtij takimi ishte çështja e sigurisë në vend, në veçanti situata e krijuar në veriun e Kosovës si pasojë e sulmit të fundit, njofton Ministra e Mbrojtjes.Me këtë rast, ministri Maqedonci e falënderoi Goffus për vizitën e tij dhe përkushtimin e NATO-s për ofrimin e paqes dhe stabilitetit në vend, si dhe theksoi nevojën që së bashku me partnerët ndërkombëtarë të tejkalohen sfidat e paraqitura si dhe nevojën për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Gjithashtu, ministri Maqedonci shprehu vendosmërinë e Kosovës për orientimin euroatlantik, drejt vlerave të vendeve perëndimore, për bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n në dhënien e kontributit aktiv në sigurinë rajonale dhe globale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat