Njohësi i sigurisë tregon se a ka kaluar rreziku pas sulmit të 24 shtatorit

Aktuale

Njohësi i sigurisë tregon se a ka kaluar rreziku pas sulmit të 24 shtatorit

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 18:19
Foto ilustrim

Njohësi i sigurisë, Hajrullah Tërnava, vlerësoi që KFOR-i do të ndërmarrë veprime të ashpra ndaj Serbisë, në qoftë se përsëritet diçka e ngjashme me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Në kuadër të diskutimit se a ka kaluar ende rreziku pas sulmit të fundit në veri, Tërnava tha se rreziku ekziston ende, teksa shtoi që në këtë çështje duhet të përfshihet edhe Interpoli.

“Nëse ndodhë diçka e ngjashme si më 24 shtator, jam i bindur që masat dhe veprimet e KFOR-it do të jenë më të ashpra ndaj tyre, sidomos ndaj një shteti që nuk i përmbahet ligjeve ndërkombëtare.  Ai rrezik nuk ka kaluar. Ky rrezik që ka ndodhur dhe rreziqet që mund të ndodhin në të ardhmen, janë në harmoni me armiqtë e krahut tjetër. Për hir të fakteve e argumenteve ndërkombëtare, duhet të kyçen edhe institucionet ndërkombëtare, siç është Interpoli, sepse Serbia mund të pretendojë që Kosova po i hiperbolizon faktet”, deklaroi Tërnava.

I pyetur se a do të ndërrojë trajtimi dhe menaxhimi i veriut në aspektin e sigurisë, Tërnava tha se tashmë shumë gjëra kanë filluar të ndryshojnë, shkruan teve1.info.

“Nuk do të jetë siç ka qenë deri tash. Shumë gjëra kanë filluar të lëvizin. Po ashtu, popullata serbe që nga 24 shtatori, nuk janë hiç të irrituar apo mos tu përmbahen rregullave e ligjeve. Unë personalisht kam informata që disa shqiptarë kanë filluar të dalin në ato pjesë të veriut që i kanë pasur të ndaluara. Prandaj, ka shumë serbë që janë lodhur nga këto masa dhe sjellje të Serbisë”, shtoi tutje Tërnava.

Kujtojmë se në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat