Lajçak pro heqjes së sanksioneve ndaj Kosovës, Stano i del kundër: Masat mbeten deri sa të shtensionohet situata

Aktuale

Lajçak pro heqjes së sanksioneve ndaj Kosovës, Stano i del kundër: Masat mbeten deri sa të shtensionohet situata

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 18:19
Miroslav Lajçak dhe Peter Stano

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bëri me dije se nuk është pro masave të vendosura ndaj Kosovës.

Ai tha se heqja e tyre është e mundshme dhe se i mbështet personalisht, por se ky qëndrim duket se nuk është i gjithë BE-së.

Lajçak u pyet në një forum që u mbajt në Budva të Malit të Zi se çfarë do të ndryshojë, ai tha se nuk është mirë që Kosova është nën masa.

“Në rrethanat aktuale nuk është mirë që Kosova është nën masa negative të BE-së. Dhe kjo është çështja që duhet të adresohet”, tha Lajçak.

“Heqja e sanksioneve?”, u pyet Lajçak në një panel të Forumit 2BS, që u mbajt në Budva.

“Kjo është njëra nga mundësitë që personalisht i mbështes”, tha ai.

Edhe pse e mundshme sipas Lajçakut, Bashkimi Europian sot ka përsëritur qëndrimin se masat hiqen kur tensionet të ulen, përkundër rrethanave të reja që u krijuan nga sulmi terrorist në Banjskë.

Pa konfirmuar nëse është përgatitur ndonjë paketë masash ndaj Serbisë për sulmin në veri të Kosovës, Stano tha se Kosova duhet të zbatojë kërkesat e BE-së për t’u hequr masat.

“Në këtë fazë ne vërtet duhet të shohim, së pari hapa drejt një deeskalimi kuptimplotë; rikthimi në dialog; dhe sa i përket ngjarjeve të 24 shtatorit një hetim të plotë dhe përfundimtar”, theksoi sot Stano.

Po ashtu, ai tha se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tavolinën e dialogut me BE-në si lehtësuese, për të cilën tha se është ndërmjetëse e ndershme.

“Nuk ka rrugë tjetër, duhet t’i kthehemi dialogut”, tha Stano.

Komisioni Europian kishte thënë se më 28 qershor ia ka kumtuar këto masa institucioneve të Kosovës si pasojë e vlerësimit të BE-së se Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri. Stano në vazhdimësi ka përsëritur se masat janë të përkohshme dhe të kthyeshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat