Çollaku: Deponi të armëve nga Serbia përveç në veri, mund të ketë edhe në qendra të tjera

Aktuale

Çollaku: Deponi të armëve nga Serbia përveç në veri, mund të ketë edhe në qendra të tjera

Më: 11 tetor 2023 Në ora: 18:37
Fatmir Çollaku

Njohësi i sigurisë, Fatmir Çollaku duke komentuar bastisjet pas sulmit të 24 shtatorit dhe situatën e sigurisë në vend, tha se janë duke u bërë hetime të vazhdueshme nga Policia e Kosovës e të cilat sipas tij, po përkrahen edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare.

Çollaku theksoi se pjesa veriore e Kosovës është pjesë më e përshtatshme për hyrje të armëve për shkak të siç tha ai, kufizimit të asaj pjese me shtetin e Serbisë.

Teksa i pyetur se a mund të ketë hyrje ose deponim të këtyre armëve në pjesët e tjera të vendit, Çollaku tha se mund të ketë por që sipas tij, ende nuk ka informacione të verifikuara.

“Mund të ketë, por njëherë për njëherë nuk kemi informacione as Policia nuk ka informacione. Ka indikacione që mund  të ketë edhe në disa qendra të tjera. Unë personalisht kam disa informata që mund të ketë, por ato janë të pa verifikuara. Në enklavat serbe ka pra përfolje publike nuk janë informata të verifikuara, Policia do t’i verifikojë informatat e marrura të cilat mund të jenë të dyshuara në kuptimin që mund të ketë dyshime. Ne mund të konstatojmë që një punë e mirë është duke u bërë dhe këto hetime nuk janë kot, këto hetime tash Bashkësia Ndërkombëtare po e mbështetë punën e Policisë edhe në kuptimin moral, politik dhe atë material e teknik “, shtoi Çollaku.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme janë bastisur edhe  tri lokacione në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan lidhur me rastin e Banjskës.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Veri, Veton Elshani tha se nuk ka të arrestuar, ndërsa nuk dihet për konfiskimet e mundshme.

Aksioni i së mërkurës i Policisë së Kosovës ka të bëjë me rastin e 24 shtatorit, kur nga një grup i armatosur serb e kishte sulmuar policinë e Kosovës duke e lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në aksionin pasues nga Policia, nga luftimet përreth Manastirit të Banjskës, u vranë tre sulmues./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat