Sot seancë e jashtëzakonshme për mbështetjen financiare për Policinë

Aktuale

Sot seancë e jashtëzakonshme për mbështetjen financiare për Policinë

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 00:03
Policia e Kosovës në veri

Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancë të jashtëzakonshme të enjten në të cilën seancë pikë e rendit të ditës do të jetë “Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare për Policinë e Kosovës”.

Seanca do të fillojë nga ora 11:00 dhe kjo kërkesë për seancë të jashtëzakonshme është bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në emër të deputetëve nënshkrues.

“Policia e Kosovës, si njëri prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në Republikën e Kosovës, zyrtarët e të cilës me vetëmohim dhe përgjegjësi të lartë, në çdo kohë e çdo rrethanë, janë në nivelin më të mirë të detyrës, për fat të keq janë diskriminuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Fakti se, që nga hyrja në fuqi (05 shkurt 2023) e Ligjit 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, zyrtarëve policor i është ndalur shtesa e rrezikshmërisë, paraqet një vendim te padrejtë që ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre, të familjeve të tyre por edhe në vullnetin dhe motivin përballë punës së perditshme sfiduese. Janë bërë tetë muaj që Policia e Kosovës nuk është duke i gëzuar shtesat e rrezikshmërisë”.

“Që nga fillimi i ndalimit të kësja shtese, ka pasur paqartësi dhe premtime të mbajtur nga zyrtarët qeveritarë. Policia e Kosovës është ende në pritje të ekzekutimit të kësaj pagese”, thuhet në kërkesën për seancë.

Aty thuhet se është koha e fundit për të marrë masa të menjëhershme për miratimin e ligjit për pensionim të parakohshëm dhe pagesën e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë.

Dokumenti përmban edhe nënshkrimet e 33 deputetëve të: Grupit Parlamentar të PDK-së, të LDK-së dhe AAK-së.

Ndryshe, sipas draft-rezolutës thuhet se duhet të obligohet Qeveria që brenda afatit prej 15 ditësh nga miratimi i rezolutës, të bëjë ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare pë pagesën e shtesës së rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës dhe atë në mënyrë retroaktive nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik (për secalin muaj).

Të obligohet Qeveria që të propozojë buxhetin e nevojshëm-për vitin e ri fiscal 2024 për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policorë të Kosovës nga janari 2024 dhe të obligohet Qeveria që brenda afatit prej 60 ditësh nga miratimi i kësaj resolute, të marrë nismën për harimin, propozimin dhe miratimin e Projektligjit për Pensionim të Parakohshëm të zyrtarëve policorë të Policisë dhe punonjësit e Inspektoratit.

Dhe të zotohet që shqyrtimi parlamentar i Projektligjit nga pika 3 e kësaj resolute, të bëhet në procedurë të përshpejtuar në pajtim me rregullat e punës së Kuvendit.

Ndryshe, edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u ka bërë thirrje deputetëve që nesër ta votojnë rezolutën për të mbështetur Policinë e Kosovës.

Ai ka thënë se pas sulmit të 24 shtatorit, PDK konsideron se forcimi dhe mbështetja e Policisë duhet të jetë prioritet shtetëror “andaj nuk mund ta pranojmë këtë qasje neglizhuese të pushtetit dhe të qëndrojmë duarkryq”.

Krasniqi ka shkruar se policët meritojnë shtesat për rrezikshmërinë, sigurimin shëndetësor dhe miratimin e Ligjit për pensionim të parakohshëm.

“I ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që nesër, me votën e tyre, të dëshmojnë se e mbështesin dhe janë me Policinë e Kosovës – sepse vetëm fjalët dhe postimet në rrjetet sociale nuk mjaftojnë!”

Javën e kaluar Lëvizja Vetëvendosje nuk ka votuar Rezolutën që do të fuqizonte Policinë e Kosovës. Kërkesa po ashtu ka qenë e Partisë Demokratike.

Shefja e Grupit, Mimoza Kusari Lila, ka kërkuar fillimisht diskutime mes partive, gjë që u kundërshtua nga LDK, PDK, AAK.

Konjufca ka thënë se pro kanë votuar 36 deputetë, ndërsa 53 kanë abstenuar.

Gjatë votimit në sallë ishin 93 deputetë, derisa 89 morën pjesë në votim. 

Nuk dihet se si do të votojë nesër Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

Kjo kërkesë ka ardhur pas situatës së krijuar në Banjskë, si pasojë e të cilës mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Kjo situatë ka shpërfaqur mungesat që kanë policët në punën e tyre, si mospagimi i shtesave të rrezikut, mungesa e Ligjit të Sigurimit Shëndetësor dhe çështje të tjera.

Me këtë rast Sindikata i Policisë e ka dërguar një peticion me 5 mijë e 623 nënshkrime tek Komisioni për të Drejtat e Njeriut, duke i prezantuar 10 kërkesat e tyre të cilat janë më poshtë:

1. Ligji i pagave;

2. Shtesa e rrezikshmërisë në punë;

3. Shtesa për punë të veçantë;

4. Klasifikimi në koeficient për stafin civil;

5. Shujta mujore;

6. Shpërblimi pë fund vit për performancë të mirë;

7. Tre paga përcjellëse për të pensionuarit;

8. Zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para;

9. Sigurimi shëndetësorë dhe jetësor;

10. Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat