Haziri: Zhvillimet mes Izraelit dhe Palestinës, frikë e madhe që Ballkani Perëndimor të mbetet prioritet i tretë

Aktuale

Haziri: Zhvillimet mes Izraelit dhe Palestinës, frikë e madhe që Ballkani Perëndimor të mbetet prioritet i tretë

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 10:46
Lutfi Haziri

Dialogu Kosovë-Serbi ka mundësi që të “stepet” pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. Aktualisht të gjitha reagimet nga BE-ja dhe SHBA-të janë duke u bërë për zhvillimet në mes të Izraelit dhe Hamasit. Druajtje për tërheqjen e vëmendjes nga ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi kanë shprehur edhe politikanët nga Kosova. 

Lufta Izrael-Hamas ka gjasa që ta tërheq vëmendjen nga dialogu Kosovë-Serbi. Arsyeja, nisja e papritur e luftës në dy shtete, të shtunën, që vazhdimisht ndër vite janë konfliktuar mes veti. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë për express se frika se dialogu do të mbetet nën hije pas zhvillimeve të fundit botërore është evidente.

Haziri theksoi se aktualisht vëmendja është kthyer krejtësisht tek zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Zyrtari i lartë i LDK-së deklaroi, se gjatë kësaj kohe Ballkani Perëndimor rrezikon të mbetet prioritet i tretë ose shumë i ulët për shtetet ndërkombëtare.

“Ajo që ka ndodhur tani me atakun e grupit terrorist Hamas në popullin dhe shtetin e Izraelit, natyrisht që ka zhvendosur vëmendjen totalisht në zhvillimet atje. Lindja e Mesme është zonë dhe regjion konfliktuoz, praktikisht një problem i ngrirë është zgjuar, është riaktiviztuar dhe ka shpërthyer të dielën e fundit të kësaj jave dhe natyrisht nëse i  shohim zhvillimet e operacioneve në ditët e para, Izraeli ka shpallur gjendje lufte, Hamasi po menaxhon ekipet e tij për vendosjen e qëllimeve politike përmes metodave të terrorit, vrasjeve dhe krejt atij arsenalit të zmbrapsur atje. Do të kemi një zhvendosje dhe frika e madhe është që Ballkani Perëndimor do të mbetet prioritet i tretë ose shumë i ulët gjatë kësaj faze të zhvillimeve”, tha Haziri.

E njëjta situatë sipas tij ka qenë edhe kur është nisur lufta në Ukrainë nga Rusia.

Por asokohe, thotë Haziti ka qenë ShBA-ja ajo që falë angazhimit ka bërë që BE-ja ta ruaj prioritetin që procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë.

“Frika nga lufta Ukrainë-Rusi se Kosova dhe Ballkani Perëndimor do të mbetet nën hije të luftës atje ka qenë evidente dhe e qëndrueshme, përderisa falë angazhimit të SHBA-ve në veçanti, BE e ruajti prioritetin që paralelisht angazhimi dhe interesimi për një proces normalizimi të ecë sipas një agjende me një dinamikë më të madhe. Përkundër mungesës së vullnetit për të arritur marrëveshje përfundimtare obligativisht ligjore, së paku një marrëveshje e përkohshme pritej të hyjë në fazën e implementimit”, ka thënë Haziri.

Haziri u shpreh skeptik për vazhdimin e procesit të dialogut edhe pas zhvillimeve të fundit në Banjskë, ku më 24 shtator një grup terroristësh serbë kryen sulm mbi Policinë e Kosovës.

Ai tha se ka kushtëzime që e komplikojnë edhe më shumë këtë proces. Teksa përmendi mundësinë e ballafaqimit me një situatë krejt të re.

“Kemi një qëndrim edhe të sotëm të BE-së që duhet të vazhdojë procesi i dialogut, që palët duhet të dakordohen rreth implementimit të marrëveshjes së Ohrit dhe që palët duhet  t’I kthehen bisedimeve. Por, kemi raporte të kushtëzimit. Përderisa po pret zbradhjen e hetimeve për atë që ka ndodhur një Branjskë, për sulmin terrorist, dhe kërkesën për vendosjen e sanksioneve, Serbia në anën tjetër ka raporte të tjera të kushtëzuara edhe me BE-në e edhe SHBA-në dhe paralajmërimi që të shkohet në zgjedhje të hershme, krejt këto e komplikojnë edhe më shumë këtë proces, e mjegullojnë dhe vërtet mund të ballafaqohemi me një situatë krejt të re që vëmendja nga rasti ynë dhe nga Ballkani Perëndimor gradualisht të zhvendoset. Përkundër një takimi që mekanizmi I Berlinit e ka këto ditë në Tiranë dhe pritet të shohim se cili do të jetë vizioni Evropa 2023 për Ballkanin Perëndimor ku kërthiza e këtij problem është raporti Kosovë-Serbi”, tha tutje Haziri.

Rundi i fundit i bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është zhvilluar më 14 shtator, por nuk është raportuar për ndonjë përparim.

Kurti ka fajësuar ndërmjetësuesit evropianë për anshmëri – gjë që është konsideruar si “akuzë e pabazë” nga BE-ja.

Ndërkaq, zëdhëbnësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë të martën se dialogu duhet që të vazhdojë.

“Nuk ka rrugë tjetër, duhet t’i kthehemi dialogu. BE-ja është lehtësues i dialogut, BE-ja është ndërmjetës i ndershëm, që ndihmon palët për të gjetur konsensusin. Të dyja palët duhet ta kuptojë këtë që dialogu duhet të vazhdojë dhe se ata duhet të angazhohen në një mënyrë kuptimplote duke provuar që të arrijnë kompromiset e nevojshme për të normalizuar raportet. Sa i takon 24 shtatorit, presim rezultatet e plota të një hetimi të kompletuar për të pasë një pasqyrë të qartë se çka ndodhi dhe kush ishte prapa”, tha Stano.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat