Gjylameti: Rezoluta e miratuar nxitë ndërkombëtarët për të qenë më prezentë në Kosovë

Aktuale

Gjylameti: Rezoluta e miratuar nxitë ndërkombëtarët për të qenë më prezentë në Kosovë

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 19:22
Blerina Gjylameti

Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, thotë se miratimi i Rezolutës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë mbështet Kosovën dhe dënon ashpër sulmin terrorist të 24 shtatorit.

Gjylmeti, deklaroi se Rezoluta nxitë institucionet ndërkombëtare për të qenë më prezentë në Kosovë.

“Kjo rezolutë jo vetëm që dënon ashpër sulmin terrorist që ndodhi në veri të Kosovës, njëkohësisht nxitë institucionet ndërkombëtare për të qenë më prezentë në Kosovë. Po ashtu, për të mbështetur të gjitha institucionet ligjzbatuese në Kosovë dhe ndërkohë për të këmbëngulur për Serbinë për të pasur një hetim sa më transparent, po ashtu edhe ndërkombëtar. Është shumë e nevojshme jo vetëm të dënojmë sulmit, por edhe në anën tjetër të identifikohen organizatorët, të kuptohet kush është pas, cilat janë synimet dhe qëllimet për të arrit që prej kohësh tashmë po përflitej”, tha deputetja në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjylameti potencoi se përmbajtja e Rezolutës është e njëjtë me atë që është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

“Rezoluta e miratuar sot në Kuvendin e Shqipërisë është e njëjtë me atë që është miratuar në Kuvendin e Kosovës, por përtej retorikave politike çfarë është e rëndësishme është që ne të punojmë shumë fort si një grup i vetëm me të gjithë kolegët, me të gjithë ata që janë partnerët tanë për të ngritur zërin e të gjitha institucioneve ndërkombëtare, ku Shqipëria është pjesë dhe është anëtare me të drejta të plota dhe po ashtu vendet mike të Shqipërisë e Kosovës të punojnë për ta njohur Kosovën dhe për ta anëtarësuar atë”, tha ajo.

Gjithashtu, Gjylameti tha se në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është dorëzuar një mocion për rezolutë, i cili kërkon të gjitha vendeve anëtare ta dënojnë sulmin terrorist.

“Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është dorëzuar tashmë një mocion për rezolutë, i cili është mbështetur me firmë nga i gjithë delegacioni i Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e shumë vendeve mike, për të arritur që ne te kemi një rezolutë në Këshillin e Evropës, i cili e kërkon të gjithave vendeve anëtare ta dënojnë sulmin terrorist që ka ndodhur në veri, ndërkohë të kërkojnë që të vendosin sanksione apo kushtëzime të Serbisë, për të pasur një qasje tjetër”.

Ajo deklaroi se mocioni për rezolutë së shpejti do të vendoset në agjendë, duke theksuar që mund të ndodhë në sesionin e ardhshëm të janarit.

Ndërkohë, Gjylameti tha se nuk e dinë cilët janë deputetët të cilën nuk e kanë votuar rezolutën.

“Nuk e di se cilët ishin deputetët të cilët nuk kanë votuar, disa nuk ishin në Kuvend për shkak të angazhimeve”, tha ajo.

Rezoluta u miratua në Kuvendin e Shqipërisë me 101 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat