Escobar: Marrëveshja e Ohrit të zbatohet sa më shpejt nga Kosova dhe Serbia

Aktuale

Escobar: Marrëveshja e Ohrit të zbatohet sa më shpejt nga Kosova dhe Serbia

Më: 13 tetor 2023 Në ora: 10:48
Foto ilustrim

Zëvendësndihmës sekretarit amerikan, Gabriel Escobar ka theksuar rëndësinë e marrëveshjes së Ohrit dhe bëri thirrje për zbatimin e saj të shpejtë si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.

Stabiliteti në Ballkan dhe paqja më e gjerë rajonale ishin temat kryesore gjatë takimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Escobar.

Në njoftimin e OEAK-së thuhet se gjatë diskutimit në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, zëvendësndihmës sekretari Escobar nënvizoi lidhjen e rrënjosur thellë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës.

“Ai më tej theksoi rëndësinë e marrëveshjes së Ohrit dhe bëri thirrje për zbatimin e saj të shpejtë si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia”, citohet Escobar në komunikatë.

Delegacioni i Odës Amerikane, i udhëhequr nga drejtori ekzekutiv, Arian Zeka, foli për raste të mundësive të humbura të biznesit në Kosovë për shkak të tensioneve në rajon. Në përgjigje të kësaj, zëvendësndihmës sekretari Escobar theksoi se normalizimi i marrëdhënieve do të zhbllokonte rritjen signifikante ekonomike për Kosovën dhe rajonin më të gjerë.

Në komunikatë thuhet po ashtu se të dyja palët ranë dakord për rëndësinë e madhe të stabilitetit dhe paqes në Ballkan, si elemente themelore për prosperitet.

“Më tej, u diskutua për ndërlidhjen midis marrëdhënieve të normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe stabilitetit të përgjithshëm rajonal”, thuhet në njoftim.

Duke theksuar vizionin e përbashkët për të ardhmen, Escobar dhe përfaqësuesit e Odës Amerikane u pajtuan se rruga përpara për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit varet nga hyrja e tyre në Bashkimin Evropian. Po ashtu në njoftim thuhet se ata u pajtuan se një integrim i tillë do të sillte një epokë të mundësive të shtuara ekonomike, si dhe do të forconte harmoninë rajonale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat