Mbrojtja e së miturës: Hajdari ndryshoi deklaratat, t’i konfiskohet patentë shoferi

Aktuale

Mbrojtja e së miturës: Hajdari ndryshoi deklaratat, t’i konfiskohet patentë shoferi

Më: 13 tetor 2023 Në ora: 18:57
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka ndryshuar deklaratat në tërësi sa i përket aksidentit të shkaktuar në të cilin kishte goditur një vajzë të mitur me veturë. Ndaj kësaj të fundit kërkohet që të shqiptohet masa e ndalimit të drejtimit të automjetit si dhe t’i konfiskohet patentë shoferi. Kështu tha avokati i palës së dëmtuar, pas përfundimit të seancës së fundit gjyqësore ndaj ministres Hajdari.

Pas më shumë se dy orë seancë të mbyllur për media dhe publik, as kësaj here ministrja Hajdari nuk u deklarua për media lidhur me gjykimin, derisa avokati i saj, Alban Maloku tha se meqë seanca ka qenë e mbyllur nuk do të ketë deklarime.

Ndërkaq, avokati i palës së dëmtuar, Florim Shefqeti tha se e pandehura ka ndërruar deklaratat, në fillim ajo kishte thënë se kishte parë dy fëmijë të dilnin nga marketi, ndërsa kësaj here ka deklaruar se i ka parë vetëm në momentin e goditjes. Sipas avokatit, ndryshim të deklaratës pati edhe kur ministrja Hajdari kishte thënë se ‘moti kishte qenë me shi në ditën e aksidentit’, më pas duke pohuar diçka tjetër.

Shefqeti: E pandehura ka ndërruar deklaratat në tërësi

"Gjatë kësaj seance është bërë administrimi i provave sipas procedurës e po ashtu edhe dëgjimi i të pandehurës... Ne ashtu siç jemi deklaruar vlerësojmë që në këtë rast janë përmbushur në të tërësi elementet e kundërvajtjes siç është klasifikuar si në fillim. Madje nën dyshimet që këtu ka mundur të ketë edhe vepër penale për shkak se provat flasin ashtu. Sido që të jetë ajo çka është e rëndësishme të dëshmohet është që e pandehura ka bërë ndërrimin e deklaratës në tërësi. Nga fakti që fillimisht kishte deklaruar se kishte parë dy fëmijët duke dalë nga marketi, tanimë ka ndryshuar dhe thotë se nuk i kam parë. Tani thotë se i kam parë vetëm në momentin e goditjes...Ne kemi kërkuar nga gjykata që të mos e falë besimin sepse ka kundërthënie. Po ashtu më herët pati deklaruar se moti ka qenë me shi dhe tani kanë bërë ndryshime të deklaratës”, tha Shefqeti.

Tutje, avokati i fëmijës së aksidentuar, Florim Shefqeti potencoi se kanë propozuar që në vendimin final ndaj ministres Hajdari të shqiptohet masa e ndalimit të drejtimit të automjetit si dhe t’i konfiskohet patentë shoferi.

Shefqeti: Ministres Hajdari t’i ndalohet drejtimit i automjetit dhe t’i konfiskohet patentë shoferi

“Dhe së fundmi lidhur me deklaratën e saj që ka frenuar kur e kemi ballafaquar me ekspertizën dhe super ekspertizën ka refuzuar që të përgjigjet. Mbi të gjitha këto baza dhe provat e tjera ne vlerësojmë se gjatë këtij shqyrtimi është e vërtetuar që e pandehura veprën për të cilën akuzohet respektivisht kundërvajtja...Gjykata ka deklaruar që në afatin ligjor do të bëhet dërgimi i aktgjykimit dhe patjetër që aktgjykimet janë publike dhe do të njoftoheni. 02:21…Ne kemi propozuar në fjalën përfundimtare që ndaj të njëjtës të shqiptohet masa e ndalimit të drejtimit të automjetit dhe tërheqja e patentë shoferit...Madje ka thënë që veprimin e shmangies së automjetit e ka bërë vetëm instinktivisht, dhe ne kemi pyetur që kjo jo qëllimisht dhe me veprim nuk e keni ndërruar veprimin e automjetit. 'Po qëndron sepse vetëm instinktivisht”, potencoi Shefqeti.

Më 10 prill të vitit 2022 një aksident kishte ndodhur në lagjen “Arbëria” në Prishtinë ku ishte aksidentuar një fëmijë, në këtë aksident ishte e përfshirë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë, Hajdari. Aksidentin në fjalë e kishte konfirmuar edhe policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat