Kryeministri Kurti në hapjen e përfaqësisë së SELISE në Parkun e Inovacioneve dhe Trajnimeve në Prizren

Aktuale

Kryeministri Kurti në hapjen e përfaqësisë së SELISE në Parkun e Inovacioneve dhe Trajnimeve në Prizren

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 15:16
Foto nga takimi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e përfaqësisë në Kosovë të kompanisë prestigjioze zvicerane SELISE në Parkun e Inovacioneve dhe Trajnimeve në Prizren.

Zgjerimi i kësaj kompanie me përfaqësi në Kosovë, u vlerësua si dëshmi shtesë për potencialin gjithnjë në rritje të sektorit tonë të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, si dhe përkushtimit të vendit tonë ndaj transformimit digjital. Teksa tha se mirëpret hapjen e SELISE në Kosovë, Kryeministri ritheksoi angazhimin e palëkundur të Qeverisë për të ofruar mjedis të favorshëm për të bërit biznes.

Në takimin me Kryetarin e Bordit të SELISE, Kurt Weber, dhe Drejtorin Kryesor Operativ në SELISE, Bobby Leu, Kryeministri tha se sektori i TIK-ut është shtyllë e rëndësishme për ekonominë tonë, me bilanc tregtar të jashtëzakonshëm, me rritje prej 114% në eksportin e shërbimeve të TIK-ut në vitin 2022.

Kryeministrit tha se Qeveria synon që avantazhet e digjitalizimit të arrijnë në çdo cep të Kosovës, e të mos lënë askënd mbrapa, duke veçuar lidhjen e fshatit të fundit me internetin brezgjerë gjatë këtij viti.

Qeveria jonë është e përkushtuar për zhbllokimin e rritjes së mëtejshme brenda këtij sektori, duke u përafruar ngushtë me agjendën ambicioze për transformimin digjital në administratë publike, arsim, shëndetësi dhe ekonomi, tha Kryeministri Kurti.

Duke theksuar angazhimin e Qeverisë, Kryeministri veçoi trajnimin e më shumë se 3,500 të rinjve në fushën e TIK, ofrimin e kuponave të trajnimit për më shumë se 900 të rinj, ndarjen e 1 milion euro për bursa për vajzat që ndjekin studimet në fushat STEM në vitin 2021, si dhe dyfishimin e këtij buxheti në 2 milionë.

Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, me mbi 50 objekte, i shtrirë në një hapësirë prej mbi 40 hektarësh, u vlerësua si gurthemel i ekosistemit të inovacionit në vend. U theksua bashkëpunimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që po investon 8 milionë euro në ITP, me qeverinë gjermane, e cila ka investuar 5 milionë euro, në zhvillimin e infrastrukturës së këtij parku.

Duke biseduar për investimet tjera në ekosistemin e inovacionit, u veçua inaugurimi i Parkut për Teknologji Digjitale “Tech Park Prishtina” në Bërnicë, investim ky prej 1.2 milionë eurosh nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Ekonomisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat