“BE-ja s’ka mekanizëm” që të zhbëjë vendimin për vizat

Aktuale

“BE-ja s’ka mekanizëm” që të zhbëjë vendimin për vizat

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 15:27
Foto ilustrim

Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën në Radion Evropa e Lirë në Pragë, që përqendrohet në mbulimin e temave që kanë të bëjnë me BE-në dhe NATO-n, tha se nuk ka një mekanizëm në BE që mund të zhbëjë një vendim të tillë.

“Faktikisht, ju duhet të krijoni një ligj të ri për të zhbërë atë vendim [për liberalizimin e vizave për Kosovën] dhe askush nuk e ka iniciuar një gjë të tillë. Kjo është diçka që do të duhej të kalonte nëpër të gjithë mekanizmat dhe ne jemi në muajin tetor tani dhe liberalizimi i vizave është caktuar të hyjë në fuqi më 1 janar. Pra, nëse flasim teknikisht, në aspektin politik është diçka e pamundur”, tha ai për REL-in.

Jozwiak tha se pezullimi i vizave mund të nxitet bazuar në të dhëna konkrete të një sërë gjërash, zakonisht që lidhen me një numër të lartë të azilkërkuesve për shembull që vijnë nga Kosova, nëse procesi i riatdhesimit nuk funksionon.

“Ju duhet pak kohë kur keni liberalizimin e vizave në mënyrë që të inicioni pezullimin e vendimit. Nuk mund të bëhet kjo më 1 janar sepse çfarë të dhënash mund të keni? Kjo lidhet me gjëra shumë specifike për të parandaluar që njerëzit të mos e keqpërdorin liberalizimin”, theksoi ai.

Jozwiak e vlerësoi deklaratën e Macronit më shumë si një “shantazh emocional”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në Tiranë më 17 tetor se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.

Zbatimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat