Flet mes emocionesh djali i Hysni Gucatit: Presim lirimin edhe të ish-luftëtarëve të tjerë

Aktuale

Flet mes emocionesh djali i Hysni Gucatit: Presim lirimin edhe të ish-luftëtarëve të tjerë

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 15:29
Djali i Hysni Gucatit, Musli Gucati

Djali i Hysni Gucatit, Musli Gucati mes emocionesh tha të martën se janë të gëzuar që babai i tij tashmë gjendet në Kosovë.

Ai theksoi se pas lirimit të babait të tij presin edhe lirimin e ish-luftëtarëve të tjerë që po mbahen në Hagë.

“Jemi në pritje të avokatëve në takim me ata me na tregu procedurat e tjera… Familja, shoqëria dhe të gjithë në vendlindjen e tij dhe në gjithë Kosovën, ka qenë emocion shumë i mirë, e kanë pritur të gjithë krahëhapur, mezi e kanë pritur lirimin e tij po edhe mezi presin edhe lirimin e tjerëve që po mbahen”, u shpreh Gucati.

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka arritur sot në shtëpinë e tij. Pas lirimit nga Gjykata Speciale në Hagë, ai u prit nga familjarë, të afërm dhe pjesëtarë të organizatës.

Gucati është liruar me disa kushte qe do të mbeten në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit.

“Më 12 tetor 2023, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e z. Hysni Gucati për lirimin e tij më 18 tetor 2023 ose rreth kësaj date, me kushtet e përcaktuara në vendim. Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, konkretisht për pjesën e mbetur të dënimit me katër vjet e tre muaj”, ka njoftuar Gjykata e Hagës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat