​Qytetarët mirëpresin hapjen e pikës kufitare në Jarinje

Aktuale

​Qytetarët mirëpresin hapjen e pikës kufitare në Jarinje

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 15:46
Foto ilustrim

Qytetarët të cilët kanë udhëtuar sot (e mërkurë) nga Kosova në drejtim të Serbisë dhe anasjelltas përmes vendkalimit kufirit të Jarinjes, janë shprehur të lumtur me hapjen e kësaj pike kufitare. Ndërsa, policia vlerëson se situata e sigurisë në veri është e qetë, por delikate.

Disa prej tyre për KosovaPress, kanë thënë se nuk dëshirojnë që kurrë më të mos përsëriten ngjarje të tilla sikur sulmi 24 shtatorit në Banjskë.

Angjelko Llesheviq nga Leshaku, tha se është shumë i lumtur për hapjen e Jarinjes, pasi 25 ditë ka jetuar siç u shpreh, si ‘në burg”.

Ai dëshiron që situata të tilla dhe mbyllje të kufijve të mos ndodhin kurrë për askënd, pavarësisht nacionalitetit, por që qytetarët të jetojnë mirë dhe të lëvizin të lirë.

“Qysh nuk jam i lumtur kur kam qenë në ‘burg’ 25 ditë, një muaj gati, nuk kam mundur të dalë, nuk kemi mundur të dalim. Në fakt kemi mundur të dalim, por pastaj të kthehemi në shtëpi jo… Që kurrë më të mos ndodhë kjo, as neve dhe as shqiptarëve. Askujt, askujt, pavarësisht nacionalitetit, por të jetojmë mirë, së bashku dhe të lëvizim të lirë”, ka thënë Llesheviq.

Samir Demiroviq nga Tutini, u shpreh po ashtu i lumtur për hapjen e kufirit, duke thënë se gjatë kalimit në kufi gjithçka ka shkuar shpejtë dhe në mënyrë efikase.

Ai ka apeluar tek politikanët që të mendojnë më shumë për interesin e popullit, sepse qytetarët vërtetë duan të jetojnë në paqe dhe pa konflikte.

“Më vjen jashtëzakonisht mirë që është hapur kalimi dhe që njerëzit të udhëtojnë, punojnë normalisht, dhe të jetojmë një jetë të cilën e kemi… Kam kaluar kufirin normalisht sikur më parë, gjithçka ka shkuar në mënyrë efikase, shpejt… Më shumë të mendojnë për popullin (politikanët v.j.) i cili dëshiron të jetojë një periudhë pa konflikte artificiale, pa fjalë të mëdha dhe të tepruara… sepse ne vërtetë duam të jetojmë në paqe njëri me tjetrin dhe jo assesi njëri pranë tjetrit’, theksoi Demiroviq.

Në anën tjetër, U. D i drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se situata e sigurisë në veri është e qetë, por delikate.

Sipas tij, pas hapjes së kufirit të Jarinjes, gjithçka është duke shkuar në rregull dhe nuk ka ndonjë problem.

Ai tha se pjesëtarët e policisë edhe sot janë duke zhvilluar aktivitetet e tyre në ruajtje të rendit dhe qetësisë publike, pa precizuar nëse po bastisen lokacione të caktuara në veri.

“Situata e sigurisë në veriun e Kosovës është e qetë, duke pasur parasysh zhvillimet prej rastit të Banjskës e deri sot është edhe delikate, mirëpo nuk kemi ndonjë problem që vlen të theksohet. Sot po ashtu është hapur pika kufitare në Jarinje, në hyrje nga ana e Serbisë në drejtim të Kosovës, dhe deri në këtë moment nuk kemi ndonjë problem… Edhe sot kemi aktivitete të përditshme të policisë, të cilat janë në kuadër të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, por nuk kemi diçka të jashtëzakonshme për me theksu”, theksoi Elshani.

Ndërsa, pika kufitare në Bërnjak ishte hapur më 9 tetor.

Mbyllja e vendkalimeve kufitare me Serbinë në Jarinje dhe Bërnjak ishte bërë nga data 24 shtator, pas sulmeve terroriste në Banjskë të Zveçanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat