Ministrja Haxhiu për vazhdimin e dialogut: Nuk besojmë se rruga përpara është të lëshojmë pe

Aktuale

Ministrja Haxhiu për vazhdimin e dialogut: Nuk besojmë se rruga përpara është të lëshojmë pe

Më: 21 tetor 2023 Në ora: 05:53
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në emisionin DPT te Fidani, ka deklaruar se Qeveria Kurti nuk e ka ndërmend të lëshojë pe në raport me dialogun me Serbinë.

Haxhiu tha se Kosova vazhdimisht është treguar kreative dhe konstruktive në dialog, mirëpo se presidenti serb Vuçiq vazhdon të insistojë në themelimin e “Zajednicës”.

“Besoj që kryeministri Kurti ka dhënë shembuj të bollshëm ku nuk lëshon pe për shkak të pushtetit. Kjo është e qartë. Nuk mendojmë që rruga përpara është lëshimi pe, në procesin e dialogut me Serbinë jemi treguar konstruktiv, fatkeqësisht kemi trashëguar shumë marrëveshje të dëmshme po pavarësisht kësaj kemi pasur qasje konstruktive, kreative”.

“Kemi pasë propozime konkrete për dallim prej Serbisë që ka kërku në çdo takim themelim të Zajednicës me kompetenca ekzekutive. Mendoj që nuk ka asnjë arsye që të lëvizim nga qëndrimet në dëm të interesit të Republikës së Kosovës. Nuk mund të bëjmë veprime që gjeneratat e ardhshme nuk na falin”, tha ajo.

Tutje, Haxhiu ka theksuar se kanë parë njëanshmëri nga ana e ndërmjetësit Miroslav Lajçak, në procesin e dialogut.

“Ne jemi pajtuar që marrëveshja të zbatohet, mirëpo në anën tjetër, në takimin e fundit, për sa kohë kemi shkuar me një plan të sekuencimit, është insistuar vetëm në themelimin e Zajednicës. Nga ana tjetër, kemi parë njëanshmërinë e ndërmjetësuesit, pra Lajçakut. Kur shohim me fakte se ka njëanshmëri, atëherë sigurisht se duhet ta themi atë”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat