​Pesëshja euro-amerikanë sot në Kosovë, këto janë pritjet e analistëve

Aktuale

​Pesëshja euro-amerikanë sot në Kosovë, këto janë pritjet e analistëve

Më: 21 tetor 2023 Në ora: 08:36
Emisaret

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të kërkojë nga pesëshja euroamerikanë që të ndryshojnë qasjen në dialog, thonë analistët politikë. Sipas tyre, gjatë vizitës së sotme të diplomatëve perëndimor, duhet të bëhet e qartë se Serbia është fajtore për mungesë të normalizimit dhe se presioni duhet të shtohet kah ajo. Krahas kësaj, theksojnë se sulmi terrorist i 24 shtatorit, i sponsorizuar nga Serbia duhet të jetë një pikënisje që fokusi kryesor duhet të jetë tek njohja reciproke.

Njohësi i procesit të dialogut, analisti, Seb Bytyçi thotë për KosovaPress, se përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, zëvendës ndihmës sekretari i ShBA-ve, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë, duhet të mos vazhdojnë avazin e vjetër që t’i bëjnë presion të njëanshëm Kosovës për zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

“Duhet të kthehet fokusi te njohja si thelb i normalizimit. (Emisarët) kur vijnë edhe në Kosovë të mos vazhdohet me avazin e vjetër që të bëhet presion i njëanshëm që Kosova të implementojë ndonjë pikë të marrëveshjes, kurse mos të ketë ngjashëm presion mbi Serbinë që të implemetojë marrëveshjen. Duhet të kuptohet që nuk mund të vazhdojë më ndërmjetësimi siç ka vazhduar deri tash. Tashmë ka përfunduar kapitulli i negociatave që ka qenë deri tash. Tash e tutje e kemi një pauzë dhe pas përfundimit të hetimeve për rastin e 24 shtatorit dhe pas mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi, duhet të fillojë një fazë tjetër, e cila duhet të ketë një organizim ndryshe”, thekson ai.

Në anën tjetër, politologu, Albinot Maloku, thotë për KosovaPress, se diplomatët perëndimor do të tentojnë t'i kthejnë palët në dialog dhe të ketë zbatim të ujdisë së Brukselit dhe Ohrit.

“Vizita e pesëshes euro-amerikane në Prishtinë, pastaj edhe në Beograd është në frymën e tentimit të rikthimit në dialog, përmes së cilit pretendohet të ketë jetësim para se gjithash të marrëveshjes. Është e vërtet se ky do të jetë edhe një lloj presion që mund të merr formën e vet. Në këtë rrafsh pres që Qeveria e Kosovës t’i rikujtoj pesëshes euro-amerikane ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë dhe të ketë të konkretizuar alternativën e vet afirmative sa i përket mundësisë së jetësimit të marrëveshjes por edhe të përparimit të dialogut me Serbinë. Bashkësia ndërkombëtare dhe kjo pesëshe euro-amerikane duhet të ketë një qëndrim sa i përket të bëmave të Serbisë përmes grupacionit të Radojiçit”, thekson Maloku.

Pesë diplomatë euroamerikanë do të qëndrojnë sot në Kosovë dhe Serbi, në atë që po shihet si nisja e përpjekjeve për t’i ulur tensionet dhe për t’i rikthyer palët në tryezën e negociatave.

Në fokus do të jetë situata në veri pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit e kërkesat për shtensionim, si dhe nxitja e palëve për ta zbatuar Marrëveshjen e Brukselit.

Një ditë para vizitës së diplomatëve perëndimorë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se të shtunën do ta kuptojë kërkesën dhe atë që do të ofrojnë përfaqësuesit euro-amerikanë por sërish e ka vënë theksin tek siguria në vend, pa të cilën ka thënë se nuk mund të ketë normalizim raportesh me Serbinë.

Takimi fundit Kurti-Vuçiq ishte më 14 shtator dhe përfundoi pa rezultate konkrete për zbatimin e ujdisë së Brukselit dhe Ohrit.

Kryeministri Kurti ka akuzuar edhe ndërmjetësit për njëanshmëri në procesin e dialogut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat