Shabani (PDK): Koeficienti i pagave të jetë 130 euro, do të mbahet seancë e jashtëzakonshme

Aktuale

Shabani (PDK): Koeficienti i pagave të jetë 130 euro, do të mbahet seancë e jashtëzakonshme

Më: 23 tetor 2023 Në ora: 10:17
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani

Koeficienti i pagave në sektorin publik, aktualisht është 105 euro. Qeveria e Kosovës, ka parashikuar që më 2024, koeficienti të ketë vlerë 110 euro. Por, opozita në Kuvendin e Kosovës, pritet që të kenë një kërkesë të re rreth këtij koeficienti.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani, ka bërë të ditur në “Sytë 7” në Klan Kosova, se pas nismës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe me përkrahjen e PDK-së dhe LDK-së, do të iniciohet një seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar mbi koeficientin.

Shabani, tek autori i emisionit, Enis Reçica, bëri me dije se kërkesë e opozitës do të jetë që koeficienti i pagës, të ketë vlerën 130 euro në vitin 2024.

Sipas tij, kjo kërkesë është edhe konform kërkesës së sindikatave të sektorit publik. Deputeti i PDK-së, njoftoi që kjo seancë e jashtëzakonshme pritet të mbahet gjatë kësaj jave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat