Shefja e UNMIK-ut në KS të OKB-së: Të paraqiten faktet dhe të mbahen përgjegjës autorët e sulmit në veri të Kosovës

Aktuale

Shefja e UNMIK-ut në KS të OKB-së: Të paraqiten faktet dhe të mbahen përgjegjës autorët e sulmit në veri të Kosovës

Më: 23 tetor 2023 Në ora: 21:45
Caroline Ziadeh

Në seancën për Kosovën që Këshilli i Sigurimit të OKB-së e mban dy herë në vit, Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) Caroline Ziadeh theksoi nevojën urgjente për veprime të bashkërenduara dhe kompromis për të trajtuar mjedisin e përkeqësuar të sigurisë dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

Duke informuar mbi zhvillimet dhe sfidat e sigurisë e kohëve të fundit, PSSP Ziadeh theksoi rëndësinë kritike të angazhimit konstruktiv dhe masave de-përshkallëzuese.

Ajo përsëriti dënimin e UNMIK-ut për incidentin e rëndë të sigurisë që ndodhi në afërsi të fshatit Banjska/Banjskë të Zveçanit në Kosovën veriore më 24 shtator dhe humbjen tragjike të jetës, duke bërë thirrje për përmbajtje.

“Është thelbësore që hetimet që po zhvillohen aktualisht të ofrojnë mundësinë për të dokumentuar me fakte këto ngjarje dhe për t’i mbajtur autorët përgjegjës,” shtoi PSSP Ziadeh.

Duke vënë në dukje se takimi i nivelit të lartë më 14 shtator në Bruksel nuk prodhoi konsensus, kreu i UNMIK-ut tha: “Kjo ishte një mundësi e humbur për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive drejt një programi për zbatimin e angazhimeve përkatëse të palëve sipas marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti”.

Ajo shprehu shpresën se rezultati i takimeve të udhëhequra nga BE-SHBA të mbajtura veçmas në Beograd dhe Prishtinë më 21 tetor do ta rikthejë dialogun në rrugën përpara, me angazhim të vendosur nga të dyja palët për të ndërmarrë hapa de-përshkallëzues dhe për të vepruar sipas propozimeve të paraqitura gjatë takimeve.

“Ngërçi aktual politik, me ndikimin e tij në sigurinë dhe mirëqenien e popullatës, mund të tejkalohet vetëm përmes kompromisit që duhet të arrihet në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës,” vuri në dukje PSSP Ziadeh.

Duke theksuar ndërlidhjet vitale në mes paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm, PSSP Ziadeh nënvizoi edhe rëndësinë e iniciativave për bashkëpunimit dhe integrim rajonal për dialog më produktiv.

PSSP Ziadeh theksoi nevojën për komunikim të qartë me publikun për çështjet që prekin jetesën e tyre dhe të drejtat e njeriut, duke kërkuar që puna e institucioneve të sundimit të ligjit të “ankorohet fort në kornizën e të drejtave të njeriut”.

Ajo përshëndeti zhvillimet e fundit legjislative, duke përfshirë miratimin e një ligji që rregullon procesin e aplikimit për statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin, dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Konventën e të Drejtave të Njeriut për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Duke reflektuar mbi 5 vjetorin e zbatimit të agjendës së UNMIK-ut për ndërtim të mirëbesimit, PSSP Ziadeh riafirmoi përkushtimin e palëkundur të UNMIK-ut për të nxitur komunikim dhe mirëkuptim në mes të njerëzve nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

“Të bësh këtë ushqen terrenin për pranimin e kompromiseve të vështira por thelbësore të nevojshme për të arritur përparim në dialogun në nivel lidershipi,” tha kreu i UNMIK-ut.

Ajo lavdëroi qëndrueshmërinë e akterëve vendorë, përfshirë partnerët e UNMIK-ut, në përpjekjet e tyre të palodhura për të promovuar besimin dhe dialogun, duke theksuar, “Ne do të vazhdojmë punën tonë për ndërtimin e mirëbesimit, edhe pse shpesh dëgjojmë se ‘besimi është në nivelin më të ulët’ në këtë moment. Por nëse jo tani, atëherë kur?”

Në përfundim, PSSP Ziadeh përsëriti mbështetjen e UNMIK-ut për dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe theksoi imperativin për dialog gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë.

“Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat