Stoltenberg për situatën në veri: Është ende një situatë e vështirë dhe me tensione, po e monitorojmë me kujdes

Aktuale

Stoltenberg për situatën në veri: Është ende një situatë e vështirë dhe me tensione, po e monitorojmë me kujdes

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 08:55
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se është e nevojshme që Prishtina dhe Beogradi të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe t’i kthehen dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian.

Stoltenberg theksoi në konferencën për media dje, se trupat e NATO-s në Kosovë së fundmi janë përforcuar me disa qindra ushtarë nga Italia, Bullgaria, Rumania dhe Britania e Madhe.

“Ka ende tensione, është një situatë e vështirë, po e monitorojmë me shumë kujdes dhe po rrisim prezencën tonë sidomos në veri. Mesazhi kryesor është që të dyja palët, Beogradi dhe Prishtina, të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejmë dhe të përmbahen nga retorika nxitëse”, tha Stoltenberg.

Ai tha se Beogradi dhe Prishtina duhet t’i kthehen dialogut nën patronazhin e BE-së.

“Unë mendoj se është gjithashtu një mesazh i rëndësishëm të shihet se BE-ja dhe NATO-ja po punojnë krah për krah dhe se trupat e shtuara të NATO-s në Kosovë po mbështesin përpjekjet e shtuara diplomatike të BE-së”, tha Stoltenberg.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pas u liruan.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

Sulmi u cilësua si akt terrorist dhe agresioni ndaj shtetit të Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.

Pas këtij sulmi NATO-ja ka rritur praninë në Kosovë, duke dërguar trupa shtesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat