Kurti e pranon ftesën për takime në Bruksel

Aktuale

Kurti e pranon ftesën për takime në Bruksel

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 11:27
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell (majtas) dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar kërkesën e emisarëve perëndimorë për takim me liderët kryesorë evropianë të enjten në Bruksel, njoftoi Qeveria e Kosovës të mërkurën.

Të enjten, Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, do t’i takojnë veç e veç presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ata u ftuan në Bruksel katër ditë pasi emisarët perëndimorë i kërkuan Kosovës dhe Serbisë që t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit gjatë një vizite në Prishtinë dhe Beograd më 21 tetor.

Gjatë takimit në Prishtinë, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se kishte diskutuar me Kurtin për një plan.

Qeveria tha të mërkurën se Kurti ka shprehur pajtimi e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, SHBA, Gjermani, Francë dhe Itali “e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës tha se Kurti do të takohet edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”, thuhet në njoftimin e Qeverisë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat