Takimet e së enjtes në Bruksel “mbështetje” për dialogun, thotë BE-ja

Aktuale

Takimet e së enjtes në Bruksel “mbështetje” për dialogun, thotë BE-ja

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 14:08
Foto ilustrim

Bashkimi Evropian i ka cilësuar si “mbështetje” për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë takimet e së enjtes në margjinat e samitit të BE-së, ku janë ftuar kryeministri kosovar, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurti dhe Vuçiq e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimet ndarëse me liderët kryesorë evropianë, të cilat, sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, nuk janë të nivelit të lartë.

“Takimet janë në mbështetje të kthimit në dialog dhe ky është mesazhi. Presim nga të dyja palët që menjëherë dhe pa kushte t’i kthehen përmbushjes së obligimeve nga dialogu”, tha Stano të mërkurën në një konferencë.

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian, gjatë ditës së nesërme.

Në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës bëhet e ditur se takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.

Kryeministri Kurti është dakorduar që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali.

Të enjten në Bruksel, Kurti dhe Vuçiq pritet të mbajnë takime ndarëse me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat