Minatori i Trepçës tregon rreziqet e qëndrimit brenda minierës

Aktuale

Minatori i Trepçës tregon rreziqet e qëndrimit brenda minierës

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 19:33
Gani Osmani

Minatorët e Trepçës gjatë së martës filluan grevë urie si shenjë proteste për mos-ekzekutimin e pagave.

Anëtari i Kryesisë së Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Gani Osmani, tregoi se gjendja shëndetësore e minatorëve brenda minierës, po keqësohet çdo moment.

“Kjo grevë urie, shkakton dobësim të shëndetit, shtypja mund të ngritët dhe mund të kenë probleme me frymëmarrje. Aty brenda ka edhe njerëz të sëmurë, 3 prej tyre i kanë larguar sot të alivanosur. Ndërsa, të tjerë më shtypje të lartë dhe me probleme kronike, ka më shumë. Çdo moment, gjendja po keqësohet aty brenda”, deklaroi Osmani.

Njëherit, ky i fundit tregoi rreziqet e mundshme gjatë qëndrimit të punëtorëve brenda minierës.

“Ne kemi dhënë vërejtje që se herë. Veprimi më i vështirë për minatorët është vendimi për të hyrë në minierë. Aty brenda dihet që janë kushtet më të vështira, nëse numri i njerëzve është i madh brenda, dobësohet edhe ajri, rreziqet janë të papritura, mund të ndalet energjia elektrike, mund të prishen ashensorët e ventilatorët. Po ashtu, mund të marrim edhe ndonjë sëmundje. Minatorëve u është imponuar hyrja në minierë”, potencoi tutje Osmani.

Gjatë kësaj greve, ka punëtorë të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Minatorët e Trepçës kanë mbajtur grevë edhe në muajin gusht, me po të njëjtat kërkesa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat