Ekspertët në Serbi thonë se negociatat janë drejt fundit

Aktuale

Ekspertët në Serbi thonë se negociatat janë drejt fundit

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 22:32
Foto ilustrim

Ekspertët në Beograd vlerësojnë se kjo është java kyçe për dialogun, sepse sipas tyre, negociatat kanë përfunduar dhe se tani ka një rikthim të pakushtëzuar në agjendën e Ohrit. Me përshpejtimin e procesit, besohet se do të zgjidhet çështja e zgjedhjeve dhe Asociacionit, përfshirë edhe obligimet e Beogradit.

Sreqko Gjukiq, Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare, tha se negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë në fazën përfundimtare.

“Ne i kemi duart plot marrëveshje të arritura, çdo dokument është negociuar me muaj të tërë dhe tani ata duhet të veprojnë. Mendoj se nuk ka kthim në rrugët e vjetra dhe se ky proces duhet të riafirmohet dhe kjo mund të arrihet në muajt e ardhshëm, por mendoj se mbi të gjitha duhet të punohet në ndërtimin e besimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha ai.

Pas vizitës së përfaqësuesve ndërkombëtar te SHBA-së dhe BE-së, në Beograd besohet se perëndimi ka propozuar një plan të ri me hapa konkretë, por përmbajtja nuk dihet. Vet presidenti i Serbisë tha se nuk mund të flasë për detaje por nuk ka çështje të lehta për Serbinë sepse po kërkohet njohja e Kosovës.

Kurse Naim Leo Beshiri nga Instituti për Çështje Evropiane, tha për RTK se ndërmjetësuesit u kanë sjellë palëve një dokument të gatshëm që duhet pranuar dhe në rast se refuzimit do të ketë pasoja.

“Beogradi do të jetë nën presion të madh për t'iu afruar sa më shpejt nënshkrimit të një marrëveshjeje të detyrueshme, dhe Beogradit dhe Prishtinës nuk do t'i jepet shumë hapësirë për të vonuar, as për të pritur që të kalojnë zgjedhjet në SHBA dhe BE”, tha ai.

Krahas kërkesave për përshpejtimin e procesit, besohet se do të vazhdohet edhe presioni ndaj Beogradit që të zbulojë të gjitha faktet dhe të kontribuojë në hetimin e ngjarjeve në Banjskë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat