​Opozita skeptike për takimin e sotëm në Bruksel

Aktuale

​Opozita skeptike për takimin e sotëm në Bruksel

Më: 26 tetor 2023 Në ora: 14:00
Albin Kurti- Aleksander Vuciq

Deputetët opozitarë shprehen skeptik për takimin e sotëm të kryeministrit të vendit, Albin Kurti me liderët evropianë. Të njëjtit akuzojnë Kurtin për mostransparencë lidhur me përmbajtjen e “propozimit modern evropian” për draft-statusin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ata kërkojnë nga shefi i ekzekutivit të dalë me sqarime sa i përket këtij plani.

Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti, tha se duhet të vazhdojnë takimet në mënyrë që të ulen tensionet, porse shton se nga takimi i sotëm përveç akuzave që do të hedhin të dy palët, nuk pret diçka tjetër të mirë për vendin.

Ai po ashtu tha se pengesë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani janë qëndrimet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Ajo që është më rëndësi është se ka rifilluar njëfarë mënyre përafrimi ose janë rivendosur prapë kontakte mes dy vendeve. Është e domosdoshme që të bisedohet, siç thonë më mirë të bisedohet me vite se sa të luftohet veç një ditë. Sot unë besoj që të dytë në këto takime të ndara do ta akuzojnë njëri-tjetrin. Unë nuk pres diçka, pres që të vazhdojë ky dialog. Të vazhdojnë takimet, që të ulen tensionet dhe që të mos luaj asnjëri, e në veçanti Vuçiqi me të ardhmen e Kosovës. Sepse ai është mësuar çdo herë të akuzojë Kosovën e cila gjoja nuk po i zbaton marrëveshjet. E vërteta është që pengesë për moszbatimin e marrëveshje janë qëndrimet e Serbisë, qëndrimet e presidentit të Serbisë, i cili në vazhdimësi përpiqet të minojë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të arritur tek një marrëveshje”, tha Haliti.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi tha se sipas planit, kryeministri Kurti do e pranojë themelimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe. E njëjta, derisa e quan “tradhtar”, shton se më e udhës do të ishte që të informoheshin nga vet kryeministri Kurti për draft-statusin.

“Takimin që është sot e kemi parë vetëm përmes mediave dhe atë planin që kanë dorëzuar emisarët që kanë qenë të shtunën, ne nuk kemi informacione tjera. E rrugës do të ishte që kryeministri Kurti të vijë në Kuvendin e Kosovës të tregojë për atë plan. Mirëpo, ky proces i dialogut nuk ka pasur aspak transparencë, mirëpo po presim çfarë po ndodh sot. Në atë plan thuhet se ka të bëjë me mbajtjen e zgjedhjeve në vëri, gjithashtu është i përfshirë edhe Asociacioni, pra, Zajednica ku më herët kryeministri Kurti i ka quajtur tradhtar ata që janë marrë në vitin 2013 dhe 2015, mirëpo tani siç shihet në atë dokument më duket se është pranuar, sepse vet takimi që ka me ta sot, mendoj se ai do ta pranojë Asociacionin që dikur e ka quajtur Zajednicë”, tha Krasniqi.

Se kryeministri nuk është transparent, e thotë edhe deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj. E njëjta kërkon nga Kurti që marrëveshja të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Është një proces komplet jotransparent, sepse ne nuk e kemi atë draftin që është prezantuar nga emisarët që kanë qenë në Prishtinë, nuk është bërë publik ai draft. Ne tërthorazi kemi dëgjuar nga liderët e partive në pushtet a është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se çka do të pranohet. Neve nuk na befasojnë edhe ndryshimet e kryeministrit Kurti që ka thënë se ‘pa i vendosur Serbisë sanksione nuk do të dialogojmë, e po ashtu deri në daljen e raportit në ngjarjes e Banjskës’, mirëpo për ne gjitha këto ndryshimet e kryeministrit, Kurtit nuk janë rastësi, sepse e ka bërë të kundërtën, pra ka dialoguar. Të shohim çfarë po ndodh, nuk ka ardhur të raportojë në Kuvend, nuk ka thirr liderët opozitarë, gjithë ky proces është një mjegull. Ajo që kërkojmë është që marrëveshja të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të respektohet sovraniteti e integriteti i Kosovës”, tha Kadriaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen sot ndaras me liderë të caktuar të Bashkimit Evropian.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka deklaruar se të enjten në Bruksel nuk do të ketë takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai theksoi po ashtu se presin që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, të kthehen menjëherë dhe pa kushte në përmbushjen e detyrimeve të tyre që rrjedhin nga dialogu, të fillojnë menjëherë dhe pa kushte të punojnë për de-përshkallëzimin ose të vazhdojnë punën për de-përshkallëzim.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri Kurti në margjinat e samitit të liderëve të shteteve anëtare të BE-së, do takojë liderët e Gjermanisë, Olaf Scholz, Francës, Emmanuel Macron, e të Italisë Giorgia Meloni, si dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat