Opozita me kritika ndaj pushtetit, reagon Konjufca

Aktuale

Opozita me kritika ndaj pushtetit, reagon Konjufca

Më: 27 tetor 2023 Në ora: 08:00 Përditësuar në ora: 12:31 më 27.10.2023
Kuvendi

Haradinaj: Kurti bëri mirë që e pranoi propozimin e BE-së, koha të hiqen sanksionet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se kryeministri Albin Kurti, bëri mirë që e pranoni propozimin e BE-së për Asociacionin.

Sipas tij, tash është koha që unioni t’i heq masat e vendosura ndaj Kosovës.

“Jemi ndier mirë kur PE ka miratuar rezolutën për sulmin terrorist në Banjskë. Dje Kosova ka bërë një hap të madh përpara dhe Kurti e ka pranuar implementimin e draftit nga pesëshja evropiane. Sipas meje, zhvillimet e djeshme, BE-ja duhet t’i heq sanksionet”.

“Është e pakuptimtë dhe besoj se edhe presidenti Macron që Kosova i ka mbajtur fjalët dhe se plani franko-gjerman janë konfirmuar dje për zbatim. E lus BE-në që t’i heq sanksionet dhe e ftoj Kurtin që në etapa tjera të mos e kthej Kosovën prapa”.

​PDK thotë se Kurti i bëri dëme të pariparueshëm vendit me Asociacionin, reagon Konjufca

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra ka akuzuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti për siç theksoi ajo për ‘dëmet e pariparueshëm në funksionimin e shtetit të Kosovës përmes pranimit të draftit të planit të BE-së”. Sipas saj, përmes këtij drafti, kryeministri Kurti ka pranuar Asociacionin.

Në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës, ajo tha se kryeministri duhet të vijë dhe të raportojë në Kuvend për atë se çfarë ka pranuar gjatë takimit që kishte dje me liderë të BE-së.

“Kemi një gjendje kaotike të deklarimeve të zyrtarëve qeveritar në raport me veriun dhe dialogun. Çfarë kemi dëgjuar prej kryeministrit pas sulmit në Banjskë është që siguria nacionale është prioritet, ndërsa mbrëmë e kemi parë se dialogu është prioritet. Pra, jo konsistencë, pa vizion, plan e strategji, Çka fituam ne, çfarë fitoi Kosova pas sulmit së 24 shtatorit? Sanksionet nuk na u hoqën, e Serbisë nuk ju vendosën, përfunduam në pranimin e një drafti të Asociacionit nga kryeministri Kurti, ndërkohë që Kosova nuk fitoi asgjë. Për më tepër nuk kemi parë se çfarë ka pranuar kryeministri Kurti, cili është drafti e materia e pranuar, pse kaq shumë mos transparencë?...Kryeministri Kurti ka bërë dëme të pariparueshëm funksionimit të shtetit të Kosovës përmes pranimit të këtij drafti, sepse njohja reciproke nuk është askund, nuk e përmend kryeministri, ai përmend asociacionin, draftin, statutin, vet menaxhimin për serbët, por jo njohjen de-juro të Kosovës. Nga njohja reciproke në qendër, kemi pranim të një autonomie të serbëve të Kosovës”, tha Deliu-Kodra.

Pas deklaratës së deputetes, Deliu-Kodra reagoi kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se ky fjalim i deputetes së PDK-së “e legjitimon mospjesëmarrjen e mazhorancës”.

“Me këtë fjalim e legjitimuat plotësisht mospjesëmarrjen e mazhornancës në këtë mbledhje”, tha Konjufca.

Ndër të tjera, Kodra Deliu ka kërkuar sërish nga institucionet e BE-së të dënojnë sulmin në Banjskë të Zveçanit, dhe të vendosin masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

“Kërkojmë nga institucionet e BE-së që në terma më të qartë të dënojnë këto sulm dhe të vendosin masa ndaj Serbisë si përgjegjëse direkte për sulmin terrorist të datës 24 shtator. Megjithatë, shteti i Kosovës nuk e kanë shfrytëzuar e as kapitalizuar sa e si duhet këtë ngjarje në mënyrë që pozicioni ndërkombëtar i Kosovës dhe në dialog me Serbinë të fuqizohet e të faktorizohet. Fitorja e Policisë para katër jave nuk ka arritur asnjëherë që të shndërrohet në fitore të diplomacisë tonë, kjo se fundi është reflektuar edhe në Bruksel. Nuk ka sanksione ndaj Serbisë, nuk ka anëtarësim ën Këshillin e Evropës dhe nuk ka status të kanditatit për anëtar në BE për Kosovë”, Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra: Kurti i ka bërë dëm të pariparueshëm funksionimit të shtetit të Kosovës përmes pranimit të këtij drafti

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, thotë se diplomacia e Kosovës nuk e ka shfrtëzuar rastin në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Deliu-Kodra, në lidhje me takimin e fundit të kryeministrit Albin Kurti në Bruksel, me pranimin e draftit thotë se i ka bërë dëm vendit.

“Megjithatë  shteti i Kosovës, diplomacia e Kosovë,s bartësit e institucioneve e Kosovës nuk e kanë shfrytëzuar e as nuk kanë kapitalizuar sa duhet e si duhet këtë ngjarje në mënyrë që kjo pozicioni ndërkombëtar i Kosovës në dialog me Serbinë të fuqizohet dhe të faktorizohet”.

“Sa herë Serbia e sulmon Kosovën Kosova duhet me lëshu pe, na sulmoi me 24 shtator dhe 26 tetor e pranoi një draft të Asociacionit, mesazhi është i qartë.

Kryeministri Kurti i ka bërë dëm të pariparueshëm funksionimit të shtetit të Kosovës përmes pranimit të këtij drafti, sepse njohja reciproke nuk është askund, nuk e përmend kryeministri, e përmend Asociacionin, statusin, vetëmenagjimin per serbët por jo njohjen de jure të Kosovës. Kjo ka ndodhur me këtë qeveri të Albin Kurti, nga njohja reciproke në qendër kemi pranim të autonomi të serbëve të Kosovës”.

Gashi: Kurti pranoi draft-statutin e Asociacionit për të cilin organizoi protesta e humbën jetë njerëzit

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e veçantë ku në rend dite është miratimi i Deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian, e datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Shefi i GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai nuk po raporton në Kuvend për dialogun.

“Kryeministri duhet të vjen dhe të raportojë në Kuvend. Kosova nën sanskione, kryeministri nuk raporton. Kryeministri pranon Asociacionin, prapë nuk raporton. Kryeministri i cili ka organizuar protesta të dhunshme pranon atë që njerëzit kanë shkuar në burg. Ka bërë marrëveshje të njëpasnjëshme, asnjëra nuk u zbatua. Ka pranu draft-statutin e Asociacionit. A duhet të jemi të informuar për këtë, si ndodhi që për diçka që kanë humbur jetën njerëzit, bëhet e pranueshme brenda natës”, deklaroi ai.

Gashi tha se Kurti ka pranuar kërkesat në Bruksel,

“Sjellja korrekte e Kosovës është arma jonë më e forta. Kurti duhet të vjen për raportim në Kuvend, nëse frikësohet nga argumenti atëherë nuk kemi çfarë bëjmë”. 

Pushteti bojkoton edhe seancën sotme të Kuvendit

Kuvendi i Kosovës sot është mbledhur për një seancë me të vetmen pikë të rendit të ditës miratimin e një deklarate në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian, e datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Në këtë seancë po mungojnë edhe sot deputetët e partisë në pushtet.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri pyeti Vetëvendosjen se çka po i frikëson kaq shumë që po bojkotojnë seancat e Kuvendit.

“E shoh si një pamaturi dhe si një frikë nga Vetëvendosja mos me u ballafaqu me Kuvendin. Nuk e di çka po i frikëson kaq shumë mos me qenë këtu mos me u ballafaqu në Kuvend”, tha ai ndër të tjera.

Sjellje të papërgjegjshme e cilësuan edhe nga LDK e PDK.

Lëvizja Vetëvendosje nuk mori pjesë as një seancën e djeshme të jashtëzakonshme të thirrur për të diskutuar për ngritjen e koeficientit të pagave.

Për të dënuar sulmin në Banjskë, javën e kaluar Parlamenti Europian miratoi një rezolutë, ku kërkon përballje pa vonesë e autorëve të sulmit me drejtësinë.

Eurodeputetët kritikuan ashpër politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe e cilësojnë atë “të rrezikshme.” Rezoluta në fjalë thekson se autorë të sulmit terrorist janë “para ushtarakë serbë të mirëorganizuar në Banjska.”

Rezoluta e Parlamentit Evropian u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë dënuar sulmin e 24 shtatorit ta dënojnë atë.

Kuvendi sot me seancë të veçantë, pritet miratimi i Deklaratës në mbështetje të Rezolutës së PE-së për Kosovën

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të veçantë.

Në seancën që pritet të nis në orën 11:00, në rend dite është miratimi i Deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian, e datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Kujtojmë se Parlamenti Evropian ka dënuar ashpër sulmin ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke e quajtur sulm terrorist dhe ka kërkuar përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje. Këto janë përfshirë në rezolutën për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimeve në veri të Kosovës.

Teksti i kësaj rezolute, u hodh në votim në seancën plenare të 19 tetorit, është përpiluar duke marrë parasysh disa propozime të grupeve politike në PE.

Autori dhe nismëtari i kësaj rezolute, Tonino Picula, deklaroi pas votimit se “sulmi terrorist është një pikë kthese e paprecedent në periudhën e pasluftës dhe kërkon një reagim serioz politik, si për shembull masat e shënjestruara kundër aktorëve që destabilizojnë veriun e Kosovës. Picula kritikoi vazhdimin e raporteve të ngushta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën, duke thënë se “kjo seriozisht vë në dyshim orientimin strategjik të Serbisë”.

Në tekstin e rezolutës përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjkës.

Në tekstin e rezolutës, sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë cilësohet “sulm terrorist”, përderisa Serbia kritikohet për disa veprime sikurse mosdistancimi i qartë nga sulmi, madhërimi i pjesëtarëve të grupit të armatosur të serbëve që kryen sulmin dhe shpalljen e ditës së zisë në Serbi për tre sulmuesit e vrarë.

Përmes rezolutës së PE-së u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë në uljen e tensioneve, të përmbahen nga retorika apo veprimet që mund të rrisin tensionet dhe të veprojnë në zbardhjen e të gjitha fakteve lidhur me sulmin në Banjskë.

Teksti i rezolutës po ashtu i bën ftesë Komisionit Evropian dhe Këshillit që të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë, ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve.

PE-ja, përmes kësaj rezolute, po ashtu dënon edhe rritjen e pranisë së ushtrisë serbe në afërsi të kufirit të Kosovës dhe kërkon nga Serbia që të përmbahet nga mbështetja e çfarëdo grupi terrorist në veri të Kosovës në të ardhmen.

Po ashtu, kritikohet edhe ajo që cilësohet si gjuhë e ashpër nxitëse që përdoret në Serbi për Kosovën dhe shqiptarët, që sipas eurodeputetëve nxit tensionet.

Në disa pika të kësaj rezolute shprehet keqardhje për sjelljen e autoriteteve të Serbisë, të udhëhequra nga presidenti Aleksandar Vuçiq, që sipas eurodeputetëve, destabilizojnë tërë rajonin.

Përmes kësaj rezolute, po ashtu kërkohet që të largohen masat ndëshkuese që BE-ja vendosi ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri, që nisën në fund të majit.

Po ashtu, eurodeputetët kërkojnë që të mos vihet në dyshim liberalizimi i vizave për Kosovën dhe kjo çështje të mos lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.

Eurodeputetët po ashtu dënojnë përpjekjet e Rusisë për ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçmas në raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkohet që të hetohet roli i mundshëm i Rusisë në ngjarjet në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat