​Rizvanolli mungon në komision, opozita dhe pozita përplasen për grevën e minatorëve

Aktuale

​Rizvanolli mungon në komision, opozita dhe pozita përplasen për grevën e minatorëve

Më: 31 tetor 2023 Në ora: 13:51
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ishte paraparë të jetë sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku pritej të raportonte lidhur me gjendjen e krijuar në ndërmarrjen TREPÇA Sh.A. Mirëpo, e njëjta nuk ka ardhur në raportim, siç u tha aty, me arsye se ndodhej jashtë shtetit.

Pavarësisht mosprezencës së ministres, pozita dhe opozita mes përplasjeve kanë mbajtur takimin.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që të mbahet takim me sindikalistët edhe tetë përfaqësuesit e Trepçës. Kjo u pranua nga kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, porse jo edhe nga LDK-ja.

Deputetja nga mazhoranca, Mimoza Kusari-Lila tha se para se të ngritën akuza është e rëndësishme të mbahet një takim me sindikalistët e Trepçës.

Kusari-Lila: Është shumë e rëndësishme të dihen disa rrethana që kanë ose jo bazë ligjore

Është shumë e rëndësishme të dihen disa rrethana që kanë ose jo bazë ligjore. Kjo është e mundshëm në momentin kur ne dëgjojmë përfaqësuesit e sindikatës së Trepçës, arsyet dhe argumentimet pse hynë në grevë pa këshill grevist, pa prezantim të kushteve, pa referencë në kontratën e punës të cilën e kanë nënshkruar, për arsyeje se Ligji mbi grevat parasheh qartë se cilat janë kriteret dhe kushtet mbi mbajtje e grevës. Kushtet e punës janë legjitime, ndërsa pika e vetme që ka mbet është shkarkimi i kryeshefit, që nuk është çështje e kontratës së punës së minatorëve. Unë propozoj që të autorizojmë dikë prej administratës se cila sallë plotëson kushtet të akomodojë për diskutim me ta”, tha Kusari-Lila.

Deputeti, Shala i është kundërpërgjigjur deputetes Kusari-Lila duke i thënë se “jeni bërë zëdhënëse e qeverisë por nuk bënë kështu”. Mirëpo, i njëjti pranoi të marrë pjesë në diskutim me sindikalistët.

Shala: Ne duhet të kemi parasysh se para se t’i dëgjojmë minatorët do duhej të ishte ministrja këtu

Ne në ditën e tetë të grevës ende nuk kemi asnjë informacion zyrtar nga institucionet e shtetit. Të enjten që shkoi, mbështetur në rregulloren e Kuvendit, kam caktuar rendin e ditës dhe kam ftuar ministren me ftesë zyrtare që të raportojë sot për situatën në ndërmarrjen Trepça, të premten kemi marrë e-mail që ajo nuk do të marrë pjesë me një arsyetim që është jashtë vendit. Konsideroj që asnjë ngjarje e institucioneve të shtetit nuk do duhej të ishte më prioritare sesa të vinte dhe të raportonte për situatën ‘Trepça’ ministrja e cila është përgjegjësja e parë që menaxhon në ndërmarrjet publike. Sa i përket vizitës së minatorëve me kënaqësi të madhe konsideroj, por që ne duhet të kemi parasysh se para se t’i dëgjojmë minatorët do duhej të ishte ministrja këtu, pse ministrja nuk ka vënë asnjë hap që Trusti t’i paguhet punëtorëve, pse të vihet deri në këtë fazë... Të gjitha këto që po i ngritni ju, ne është dashur t’i marrim nga ministrja e linjës. Po e shoh tash që jeni bërë zëdhënëse e Qeverisë, por nuk mundemi kështu”, është kundërpërgjigjur Shala.

Se nuk arsyetohet mungesa e ministres Rizvanolli e tha edhe deputeti nga AAK, Pal Lekaj.

I njëjti ka shpalosur një foto të kryeministrit Kurti ku kishte takuar minatorët gjatë fushatës, për të cilën ka akuzuar për manipulim.

Lekaj: Ministrja bënë shaka, dhe sot GP i VV pa u konsultuar fare thërret sindikatat që t'i japin kahje politike

"Është dita e tetë që minatorët kanë hyrë në grevë, dita tetë që asnjë zyrtar i Qeverisë nuk i ka vizituar, që në kushte të tmerrshme jetojnë në horizont, dhe ministrja arsyetohet se është në udhëtim zyrtar, por sikur të ishte ministrja edhe jashtë vendit greva e minatorëve do duhej të ishte kthyer urgjentisht e jo t'i injorojë kërkesat e minatorëve. Atëherë kur ju duhen për fushatë, kryeministri shkon e ju thur lavde ‘ju jeni heronjtë e Kosovës’, ‘ata që keni ndryshuar sistemin’, dhe sot këta minatorë injorohen dhe shoqëria aksionare Trepça është para falimentimit falë asaj që këta nuk kanë ndjenja as njerëzore e as shtetërore. Ministrja bënë shaka, dhe sot GP i VV pa u konsultuar fare thërret sindikatat që t'i japin kahje politike. Është manipulim i llojit të vet për atë që po ndodh. Minatorët kërkojnë zgjidhje, një kryeshef që nuk qan kokën për minatorët, çka e lidh ministren e qeverinë për atë kryeshef, është biznes apo çfarë. Jam i gatshëm t'i pres minatorët, por kjo është më tepër manipulim. Kjo qeveri vetëm duke krijuar kriza e ka jetëgjatësinë dhe jo duke krijuar zgjidhje", tha Lekaj.

Ndërkaq, deputetja nga LDK, Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se është e papranueshme të marrin pjesë sot në diskutimin me sindikalistët, pasi nuk kanë qenë të njoftuar më herët për këtë.

Bunjaku tha se mungesa e ministres Rizvanolli nuk arsyetohet me takimin me sindikalistë.

Bunjaku-Rexhepi: Nuk e shfajëson agjsë ministen Rizvanolli për mungesën sot

"Nuk e arsyeton e as shfajëson asgjë ministren për mos prezencën sot takimi me sindikalistet. Jemi t'i interesuar t'i dëgjojmë sindikalistët por jo në këtë formë, sepse kjo është për të manipuluar sindikatën, sepse kjo është t’i përçajë sindikatën, njëjtë si sindikatën e arsimit. Në qoftë se ata kanë ardh tek LVV, a i keni kërkuar të vijnë vet, nuk e di pasi është propozim i juaj, mirëpo, mendoj se me shumë dëshirë t'i dëgjojmë sindikalistët, është e papranueshme ndërhyrja, shkarkimi, greva nuk arsyetohet dhe asgjë nuk është më me rëndësi sesa jeta e minatorëve sot. Sot, udhëtimet, kur je ministre dhe mban një përgjegjësi të madhe, duhet të ndërpres udhëtimin, duhet të vijë ku thërret vendi dhe jo të thotë që është jashtë vendit dhe nuk mundet mirëpo më duket i paarsyeshëm propozimi juaj, pse sindikalistët nuk na kanë bërë kërkesë edhe neve si grupe parlamentare që të bisedojmë... Propozoj qe pa ardh ministrja nuk kemi çka t'i takojmë as sindikalistët", tha Bunjaku-Rexhepi.

Për këtë, Kusar-Lila tha se është më e arsyeshme të dëgjohen kërkesat nga vetë minatorët, sesa të diskutohet me gjëra të pavërteta.

Kusari-Lila: Manipulimi nuk është çështje kur është transparenca, po flasim për komunikim të drejtpërdrejt me ta

Në situatën aktuale nëse ju vazhdimisht gjatë gjithë kohës këto ditët e fundit keni kërkuar më pas trajtim të mirëfilltë të kërkesave të tyre, a po i dëgjojmë, cilat qenkan kërkesa kredibile që ne po i injorojmë sipas jush, hajde dëgjojeni prej njerëzve, jo prej nesh. Manipulimi nuk është çështje kur është transparenca, po flasim për komunikim të drejtpërdrejtë me ta”, tha Kusari-Lila.

Ndërkaq, deputeti Lekaj ka akuzuar Qeverinë për mungesë të argumenteve në këtë drejtim.

Lekaj: Në këtë drejtim këta sërish po duan të bëjnë shaka me ta, dhe sa më parë që të shkarkohet kryeshefi aq më mirë

Në këtë drejtim këta sërish po duan të bëjnë shaka me ta, dhe sa më parë që të shkarkohet kryeshefi aq më mirë, ushtrues detyre është, çfarë po pritni. Kur s’ka argumente ju çoheni menjëherë. Thoni argumentet, edhe thirrja e sindikalistëve dhe atij që keni shkarkuar është me të ardh keq për këtë qasje”, tha Lekaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat