Greva në Trepçë, Rizvanolli: Duhet dhe do të gjindet një rrugë përpara shumë shpejt

Aktuale

Greva në Trepçë, Rizvanolli: Duhet dhe do të gjindet një rrugë përpara shumë shpejt

Më: 31 tetor 2023 Në ora: 15:44
Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka deklaruar se është e gatshme të flasë me punëtorët e sindikatës në Trepçë, për gjetjen sa më të shpejtë të një zgjidhjeje për daljen nga greva.

Rizvanolli për Tëvë1, tha se momentalisht ajo gjendet në një udhëtim në Francë dhe në Gjermani ku po promovon investimet kapitale në fushën e burimeve të ripërtritshme dhe kjo sipas saj, ka qenë arsyeja pse ajo sot ka munguar në raportimin e saj në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me gjendjen e krijuar në ndërmarrjen “Trepça”

“Unë për hir të informimit të publikut dua ta bëj të qartë që unë, qysh nga java e kaluar kur e kam marrë ftesën nga fundi i javës së kaluar, e kam informuar komisionin parlamentar se do të jem në udhëtim në Francë dhe pastaj në Gjermani për të promovuar investimet në fushën e burimeve të ripërtritshme të energjisë. Unë kam shumë dëshirë që të flas me minatorët veçanërisht, por edhe me minatorët e tjerë duke qenë se nuk ka Këshill Grevist i cili është i autorizuar për të folur në emër të atyre që po grevojnë. Unë do ta doja, dua dhe kam plan të flas me të gjithë punëtorët, jo vetëm me punëtorët e sindikatës që po flasin në emër të punëtorëve, mirëpo nuk janë këshill organizativ në kuptimin formal”, tha ministrja.

Tutje Rizvanolli tha se ka shprehur vullnetin e Qeverisë që çfarëdo që ka të bëjë me kushtet e punëtorëve të trajtohet me seriozitet, në mënyrë që të gjindet zgjidhja.

“Unë kam biseduar më përfaqësuesit e sindikatave të ndryshme dhe ata janë ndërruar përgjatë kohës. Dhe përgjatë gjithë kësaj kohe e kam shprehur vullnetin e Qeverisë që çfarëdo që ka të bëjë me kushtet e punëtorëve të trajtohet me seriozitet dhe të gjenden mekanizmat dhe për këtë ka pasur një dakordim mes Bordit dhe mes përfaqësuesve të sindikatës. Edhe në në takimet e komunikimet që i kam pasur gjatë javës së kaluar në çdo mënyrë që kushtet e punës të punëtorëve të përmirësohen në një periudhë sa më të shkurtër. Ne jemi plotësisht të gatshëm dhe i përkrahim këto kërkesa”, shtoi Rizvanolli.

“Unë konsideroj se duhet dhe do të gjindet një rrugë përpara shumë shpejtë. Shpresoj që së shpejti do të kemi një rezultat dhe shpresoj që edhe punëtorët tjerë jo vetëm përfaqësuesit që kanë qenë në diskutime edhe me bordin edhe me përfaqësues të tjerë të Ministrisë, informatat e plota i kanë përcjellë edhe tek kolegët e tyre. Dhe shpresoj që do të kemi një mirëkuptim dhe bashkëpunim për ta çuar Trepçën përpara sa më shpejtë që është e mundur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat