Rizvanolli flet për “kërcënimet” e kryeshefit të Trepçës ndaj minatorëve

Aktuale

Rizvanolli flet për “kërcënimet” e kryeshefit të Trepçës ndaj minatorëve

Më: 31 tetor 2023 Në ora: 18:49
Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur rreth kërcënimeve të mundshme të kryeshefit të Trepçës, Enis Abdurrahmani, ndaj minatorëve të kësaj ndërmarrje.

Minatorët patën deklaruar se gjatë grevave 1 orëshe kur pagat nuk u dilnin me kohë, kanë pranuar kërcënime nga Abdurrahmani që do t’i dërgojë në Prokurori. Megjithatë, Rizvanolli tha se këto detaje të komunikimit nuk janë aspak pjesë e punës së ministrisë.

“Detajet e komunikimeve nuk janë pjesë e punës tonë apo diçka që ne informohemi, e as nuk janë çështje me të cilën ministria e niveli politik merren. Për çfarëdo ankese, për çfarëdo argumenti që ka të bëjë me menaxhimin e ndërmarrjes, punëtorët e kanë derën e hapur tek menaxhmenti për t’i shprehur ato”, deklaroi Rizvanolli.

Si rrjedhojë e kësaj, Rizvanolli vlerësoi që do të ishte më e drejtë në qoftë se minatorët do t’i tregonin haptas shqetësimet e tyre.

“Do të ishte shumë më produktive që kjo kohë e cila është kaluar duke mos punuar, e duke i shkaktuar Trepçës shumë humbje, do të shfrytëzohej në mënyrë shumë më të mirë nëse punëtorët do të flisnin me bordin dhe do t’i tregonin në mënyrë të hapur të gjitha shqetësimet. E nga ana tjetër, do t’i lejonin bordit të merret me trajtimin e këtyre çështjeve”, theksoi tutje Rizvanolli.

Sot, është dita e shtatë e minatorëve të minierës së “Trepçës” që kanë hyrë në grevë.

Minatorët kanë hyrë në grevë si shenjë proteste për vonesat që po u bëhen në ekzekutimin e pagave.

Kërkesat e tyre janë realizimi i pagës nga data 6 deri me datën 10 të çdo muaji, dorëheqja apo shkarkimi i u.d i kryeshefit, Enis Abdurrahmani dhe kërkesa për sigurim shëndetësor dhe përmirësimin e kushteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat