Tahiri thotë se Kurti s’merr përgjegjësi nëse vdes ndonjë minator, gishti zgjatet nga Rizvanolli

Aktuale

Tahiri thotë se Kurti s’merr përgjegjësi nëse vdes ndonjë minator, gishti zgjatet nga Rizvanolli

Më: 2 nëntor 2023 Në ora: 06:30
Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i bëri thirrje Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit, që sa më shpejtë të gjejë rrugëzgjidhje për minatorët e Trepçës.

Tahiri vlerësoi që nëse nga pasojat e grevës mund të vdesë ndonjë minator, atëherë i tërë faji i mbetet Rizvanollit.

“Nëse vdes dikush, përgjegjësinë e merr Artane Rizvanolli, asaj ia zgjatin gishtin. Kurti nuk e merr përgjegjësinë. Jemi në një situatë ku duhet të marrin vendim. Kam një këshillë për Artane Rizvanollin, që nesër ose sonte, së bashku me ekipin e vet, të shkojë për vizitë tek minatorët dhe t’u thotë të dalin nga aty. Në qoftë se kërcet diçka, fajin e ka Rizvanolli. Në qoftë zgjidhet, e marrin lavdën të tjerët. Nëse vdesë dikush nga minatorët, mos e bo Zot, adresa për faj është tek ajo. Rizvanolli nuk duhet të dalë nga kombinati pa e zgjidhë këtë problem”, deklaroi Tahiri.

Sot, është dita e nëntë e minatorëve të minierës së “Trepçës” që kanë hyrë në grevë.

Kërkesat e tyre janë realizimi i pagës nga data 6 deri me datën 10 të çdo muaji, dorëheqja apo shkarkimi i u.d i kryeshefit, Enis Abdurrahmani dhe kërkesa për sigurim shëndetësor dhe përmirësimin e kushteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat