Specialja arreston Isni Kilajn

Aktuale

Specialja arreston Isni Kilajn

Më: 3 nëntor 2023 Në ora: 09:26 Përditësuar në ora: 10:21 më 03.11.2023
Isni Kilaj

Flet djali i Isni Kilajt, tregon kur u arrestua babai i tij

Ish kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj është arrestuar me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Lajmi është konfirmuar nga djali i Isniut, Blendi Kilaj.

Ai tha se arrestimi i babait të tij ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:30.

“Po e konfirmoj arrestimin e babait tim, i cili ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:30”, ka deklaruar djali i Isni Kilajt, Blendi Kilaj.

Ai tutje ka shtuar se që nga ora 18:30 EULEX, kishte shkuar në shtëpinë e tij në Malishevë e deri në arrestimin e babit të tij në orët e vona.

“Bastisjet e EULEX’it, kanë filluar qysh dje pasdite, diku rreth orës 18:30, Policia e Kosovës ka qëndruar jashtë dhe pjesëtar dhe hetues të EULEX’it, kanë qëndruar brenda në bastisje, e deri në arrestimin e babait tim që ndodhi në orët e vonshme”, ka shtuar ai.

Për këtë kanë reaguar edhe Komuna e Malishevës të cilët përmes një postimi në rrjetin social në Facebook kanë shkruar se janë të shqetësuar për arrestimin e ish kryetarit të komunës, Isni Kilaj.

Sipas tyre, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e Kilaj, e rrjedhimisht ka shkaktuar edhe panikë dhe shqetësim të të gjithë qytetarëve.

“Ne si komunë, besojmë dhe jemi thellë të bindur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë luftë e pastër dhe mbi të gjitha ka qenë luftë çlirimtare, madje lufta e popullit të Kosovës, është lufta më e pastër që ka ndodhur ndonjëherë në histori të njerëzimit”, thuhet në postim.

Tutje nga komuna thonë se Isni Kilaj, dhe të gjithë bartësit e luftës çlirimtare, janë të pafajshëm dhe të gjitha këto veprime të gjykatave, i konsiderojnë si veprime politike, që për qëllim kanë njollosjen e luftës për çlirim.

Isni Kilaj po mbahet në bazën e EULEX-it në Fushë-Kosovë, dyshohet për ndërhyrje në dëshmitarë

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është arrestuar mbrëmë nga EULEX-i, por që i njëjti akoma nuk ka udhëtuar për në Hagë.

Lajmin e ka konfirmuar familjari i Isniut, Sedat Sahitaj, i cili tha se ish-kryetari po dyshohet për  ndërhyrje në dëshmitarë.

“Akoma nuk ka shkuar për në Hagë, është në bazën e EULEX-it në Fushë Kosovë. Ndërhyrje në dëshmitarë apo në pengim të drejtësisë”, tha ai.

Kujtojmë se dje, Gjykata Speciale e ka bastisur shtëpinë e Kilajt, ndërsa gjatë javës janë kryer bastisje edhe te Artan Behrami, Bashkim Smakaj dhe Blerim Shala, te tre ish-këshilltarë të ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Reagon komuna e Malishevës pas arrestimit të Isni Kilajt

Komuna e Malishevës ka njoftuar se mbrëmë, ish-kryetari i kësaj komune, Isni Kilaj, është arrestuar nga EULEX-i.

Në reagimin e komunës bëhet e ditur se arrestimi i Kilajt erdhi pas bastisjeve që janë kryer nga Specialja dje në shtëpinë e tij në Malishevë dhe në banesën në Prishtinë.

“Komuna e Malishevës, me shqetësim të madh ka marrë informacionin se EULEX-i mbrëmë ka arrestuar ish kryetarin e Komunës së Malishevës, z.Isni Kilaj. Paraprakisht, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e z.Kilaj, e rrjedhimisht ka shkaktuar edhe panikë dhe shqetësim të të gjithë qytetarëve.

Ne si komunë, besojmë dhe jemi thellë të bindur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë luftë e pastër dhe mbi të gjitha ka qenë luftë çlirimtare, madje lufta e popullit të Kosovës, është lufta më e pastër që ka ndodhur ndonjëherë në histori të njerëzimit.”, thuhet në njoftim.

Nga komuna kanë kërkuar që Gjykata Speciale “të ndërpresë këtë mënyrë të përndjekjes së çlirimtarëve dhe në të njëjtën kohë, kërkojmë që kjo Gjykatë dhe gjykatat tjera kompetente, përfshi edhe Tribunalin e Hagës, që të merret me ndjekjen, arrestimin dhe dënimin e autorëve të vrasjes së afër 400 civilëve të Komunës së Malishevës gjatë viteve 1998-1999 nga ushtria dhe policia e shtetit të Serbisë.”

Specialja arreston Isni Kilajn

Me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë është arrestuar ish komandanti i UÇK-së, Isni Kilaj nga Malisheva.

Arrestimi ka ndodhur në mesnate pas bastisjeve që i është bërë në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe Lubizhdë të Malishevës.

Lajmi është konfirmuar nga familjarët e Kilajt të cilët thonë se nuk kanë asnjë informacion pse është arrestuar ai.

Kilaj pas arrestimit është dërguar në bazën e EULEX-it ku sipas familjarëve pritet të niset për në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat