​Abdixhiku-Kurtit: Nuk jam i sigurt që Asociacioni s’do të ketë kompetenca ekzekutive

Aktuale

​Abdixhiku-Kurtit: Nuk jam i sigurt që Asociacioni s’do të ketë kompetenca ekzekutive

Më: 3 nëntor 2023 Në ora: 14:12
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur shqetësimin që draft-statuti i Asociacionit i propozuar nga emisarët euro-amerikanë dhe i pranuar në parim nga kryeministri Albin Kurti nuk do të jetë autonomi për serbët në Kosovë dhe s’do të ketë kompetenca ekzekutive.

Deputeti Abdixhiku, në seancën e sotme plenare, ku po diskutohet për takimet e fundit të Kurtit në kuadër të dialogut, tha se këtë e dëshmojnë edhe qëndrimet kontradiktore të kryeministrit dhe presidentes, Vjosa Osmani për draft-propozimin e emisarëve euro-amerikanë për Asociacionin.

Abdixhiku: Nuk jam i sigurt fare që Asociacioni i juaj nuk është autonomi dhe me kompetenca ekzekutive

“Duke e parë mënyrën e arritjes së rezultateve dialoguese në tri vitet e fundit, duke parë pretendimet fillestare, aty ku jemi nis dhe duke i krahasuar me rezultatet përfundimtare, ato që na binit dhe sillnit përfundimisht dhe duke parë sidomos deklaratat kontradiktore të udhëheqësve tanë që e kanë parë këtë dokument unë nuk jam i sigurt fare që Asociacioni i juaj, draft-statuti nuk është autonomi, s’ka kompetenca ekzekutive dhe nuk tejkalon kornizën kushtetuese. Gabimi thelbësor që keni bërë në dialog është mos marrja e përgjegjësisë”, tha Kurti.

Sipas tij, ky qëndrim kontradiktorë është shenjë e qartë e mospërputhjes së këtij dokumenti me Kushtetutën e vendit.

Abdixhiku: Qëndrimi kontradiktor i Osmanit dhe Kurtit për draftin e Asociacionit

“Ky hamendësim bëhet edhe më i thellë kur kuptojmë se dy zyrtarë shtetërorë, kryeministri dhe presidentja, që kanë pranuar dokumentin në gjithë përbërjen e tij, kanë dhënë dy qëndrime kontradiktore në përmbajtje të tij. Gjersa kryeministri pretendon se Statuti i Asociacionit të tij është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese – ose së paku kështu i kanë thënë atij – Presidentja, si pranuese e po të njëjtit dokument, shpalos hezitimin e ngutisë për një cilësim të tillë. Dhe jo vetëm aq, njofton dërgimin e komenteve në Kushtetuese në rastin e parë, si shenjë e qartë e mospërputhjes me Kushtetutë”, theksoi ai.

Krahas kësaj, Abdixhiku kritikoi Kurtin për fjalimin e sotëm në Kuvend, duke e quajtur si boshe dhe adresim për militantët partiak.

Abdixhiku: Kemi ardhur në një situatë ku ka marrëveshje bazë pa njohje de-jure

“Përfundimi në një situatë kur ne jemi bërë pjesë e një marrëveshje bazë, por jo përfundimtare pa njohje de-jure pasi njohja de-facto është interpretim politik dhe me autonomi të gjerë për serbët në Kosovë është përfundim katastrofal. Sot mund të mos kemi dalje nga kjo situatë për shkak të pozicionit të pafavorshëm diplomatik dhe menaxhimit katastrfoal të dialogut që keni bërë kemi ndërtuar një presion ndërkombëtar që na detyron në zgjidhje të tilla. Nesër mund të kemi situatë më të rëndë me propozime të reja. Të gjitha këto janë të vërteta dhe për shkak tuajin kemi marrë rezultatet më të rënda në dialog...Për të kuptuar thellësinë e pranimit të sotëm na duhet qartësi dhe jo fjalë boshe dhe parulla. Për të pasur qartësi duhet të shohim dokumentit dhe të ndani atë me popullin e Kosovës”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat